Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit i jep 15.000 dollarë familjes së Dëshmorit të Atdheut, Saimir Hoxha

09/10/2021 17:21

Gjatë ditës së sotme, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në prezencë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano dhe të përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane, një përfaqësi e shoqatës Amerikano-Shqiptare të punonjësve të Policisë i ka dorëzuar bashkëshortes së Dëshmorit të Atdheut Saimir Hoxha, çekun me shumën 15 mijë dollarë, si kontribut në shenjë solidariteti, vlerësimi e respekti për sakrificën sublime të Saimir Hoxhës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka falënderuar përfaqësuesit e shoqatës së punonjësve të Policisë, për ndjenjën e solidariteit, si dhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane, për mbështetjen e treguar nga ana e tyre.

Gledis Nano: “Nuk do doja kurrë as si Drejtor i Përgjithshëm dhe as si punonjës policie që të merrja pjesë në ceremoni të tilla. Me Saimirin kam punuar dhe kam dhe një ndjesi më tepër. Dëshiroj që Policia e Shtetit të mos ketë më humbje jete në radhët e saj për shkak të detyrës.
Zonja Lisjana Hoxha, dera e familjes së madhe të Policisë së Shtetit për ju dhe fëmijët tuaj do jetë përherë e hapur, ju nuk do jeni asnjëherë vetëm. Falënderoj shoqatën për solidaritetin, duke na treguar se nuk jemi vetëm. Gjesti juaj të shërbejë si sinjal për të respektuar e mbështetur më shumë punonjësit e Policisë, kudo ku janë, pasi kemi një mison e një qëllim dhe një armik të përbashkët, krimin.
Prania e përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane tregon për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe agjencitë ligjzbatuese i japin Policisë së Shtetit”.

Erald Krisafi, në emër edhe të kryetarit të shoqatës Amerikano-Shqiptare Elton Shametaj, u shpreh:

Kur kolegët dhe vëllezërit tanë në blu në Shqipëri janë mirë, dhe ne jemi mirë, kur kolegët dhe vëllezërit tanë në blu lëndohen, dhe ne lëndohemi. Për këtë arsye shoqata Amerikano-Shqiptare e punonjësve të Policisë ndan të njëjtën dhimbje me koleget e Policisë shqiptare, për humbjen e mikut, vëllait në blu dhe kolegut tonë nënkomisar Saimir Hoxha.

Shoqata Amerikano-Shqiptare e punonjësve të Policisë gjen rastin të shprehë ngushëllimet më të sinqerta për familjen e kolegut tonë Saimir Hoxha. Gjithashtu, nderimet dhe përuljen tonë shumë të ndjerë për çdo hero të Policisë shqiptare që është përjetësuar në yll në Memorialin e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit. Duke qenë prezent dhe duke ndarë të njëjtën dhimbje me familjen e Saimirit, në emër të shoqatës Amerikano-Shqiptare të punonjësve të Policisë, i dhurojmë një shumë simbolike prej 15000 USD, familjes së kolegut tonë. Jemi të qartë që kjo shumë nuk e zëvendëson Saimirin, por le të shërbejë si shënjë kujtese, respekti dhe mirënjohjeje për familjen e tij.

Zoti e bekoftë familjen e vëllait tonë në blu Saimirit, Zoti i bekoftë punonjësit e Policisë shqiptare, Zoti i bekoftë shqiptarët”!

Lisjana Hoxha, bashkëshortja e Dëshmorit Saimir Hoxha, ka falënderuar përfaqësuesit e shoqatës dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për solidaritetin dhe respektin e treguar.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA