Kryeministri Edi Rama, përmes një videoje në rrjetin social “Facebook” zgjodhi t’i përgjigjet pyetjeve të qytetarëve për krizën energjetike.
Disa ditë më parë, vetë kryeministri pranoi se kriza e energjisë që ka mbërthyer gjithë Evropën, është e pashmangshme të mos ndikojë dhe në vendin tonë.
Pyetjes së një ndjekëseve se përse nuk e vendosim vetë çmimin e energjisë, meqë e prodhojmë vetë atë, Rama i përgjigjet se vendi ynë nuk mund t’ia dalë pa importet.
“Ne prodhojmë kur kemi reshje të mjaftueshme për mbushjen e hidrocentraleve dhe blejmë energji kur ka thatësirë, aq më tepër kur periudhat e thatësirës janë bërë më të gjta kohët e fundit si pasojë e ndryshimeve klimaterike. Prandaj, Shqipëria është e varur njësoj si vendet e tjera nga çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtar”, tha ai.
Të njëjtën përgjigje, Rama dha dhe për çmimin e naftës:
“Shqipëria nuk e prodhon sasinë e naftës që konsumohet në vendin tonë. Nafta që nxirret këtu është naftë e rëndë dhe shkon kryesisht jashtë për nënprodukte të saj, si bitumi për shembull. Ndërkohë, rreth 600 mijë ton, që konsumohen në formën e gazoileve dhe benzinës, janë nënprodukte që vijnë nga jashtë”.
Ndërkohë, shton se nafta në vendin tonë tregtohet nga subjekte private që e blejnë produktin sipas bursës në tregjet ndërkombëtare.
Shqetësimit të një qytetari që shkruan në faqen e “Facebook-ut” të kryeministri, ashtu siç shumë qytetarë të tjerë pyesin se si ka mundësi të kemi çmime kaq të larta me rrogat e pensionet ton, Rama i përgjigjet se “në shoqërinë kapitaliste, çmimin në treg e përcakton raporti kërkesë-ofertë, jo shteti, dhe për sa kohë blejmë në tregun ndërkombëtar, do të blejmë njësoj si Spanja, Gjermania e shtetet e tjera”.
“Enver Hoxha bëri centralet që janë dhe sot. Në demokraci, këto 30 vite nuk keni bërë asgjë”, shkruan një qytetar. Duke pranuar situatën e vështirë të sektorit energjetik, kryeministri ia faturon përgjegjësinë qeverisë së kaluar.
“Ne e morëm sektorin energjetik jo në gropë, por në humnerë. Pasi e ngritëm në këmbë, sot po investojmë për ta ngritur më lartë për futjen e energjisë nga uji, dielli dhe era”.
Ekspertët shpjegojnë se rritja e çmimit të energjisë në import ishte e pritshme si rrjedhojë e kërkesës së lartë pas pandemisë. As sot kur situata është bërë shqetësuese kudo në botë dhe faturat e energjisë janë shtrenjtuar nga disa vende, qeveria nuk ka dalë me një plan konkret masash se si do të menaxhohet situata.
Top Channel