Besimi në ekonomi në sektorin e ndërtimit shënoi rënie të fortë gjatë shtatorit me 6.4%, ku ndërtuesit raportuan ulje të porosive aktuale, por pritshmëritë janë të mëdha për rritje të çmimeve në vijim.
Agjentët imobiliarë pohojnë se çmimet e apartamenteve në Tiranë po shtrenjtohen vazhdimisht, ndërsa rritja më e madhe është konstatuar te kullat në qendër të Tiranës ku çmimi më i lartë sipas tyre arrin deri në 5 mijë euro/m2.
Por, kush janë blerësit e këtyre njësive dhe për çfarë po përdoren më shumë?
“Për kullat ka kërkesë të rritur për ambiente zyrash, biznese kryesisht por edhe banimi apo si formë investimi për t’i lëshuar me qira më vonë. Klientët që blejnë janë po ata që kanë filluar të blejnë që në vitet ’90, të huajt dhe emigrantët vijnë të tretët. Çmimi më i lartë që në kemi të listuar dhe si informacion tregu ka arritur deri në 5 mijë euro/m2. Ky është një çmim i kërkuar, i reklamuar. Flasim për linjën e bulevardit që nga 3500 euro/m2 ka shkuar deri në 5 mijë euro/m2 dhe kjo nuk është më utopi, por do të thotë që ka pasur kërkesë dhe çmimi është rritur”, tha Erion Alimema, agjent imobiliar.
Luhatje të ndjeshme të çmimeve vihen re edhe në zona të tjera përtej qendrës së kryeqytetit shpjegojnë agjentët imobiliarë, ndërsa shtojnë se qytetarët po preferojnë së fundmi komplekset e pallateve për shkak të lehtësive që ofrojnë në shërbime.
“Blerësit po kërkojnë gjithmonë e më shumë që të jetojnë nëpër komplekse sepse kërkojnë të kenë diçka në zonën e banimit. Zona e liqenit ka pasur çmime 1000-1100 euro/m2 tani mund të kemi nga 1200-1300 euro/m2 dhe duke u shtrirë deri të Tegu në 2000 euro/m2 maksimumi. E vetmja zonë që ka një çmim stabël është ish-Fusha e Aviacionit që ka një çmim stabël 850-900 euro/m2, zona e 5 Majit dhe afër spitaleve që kanë thuajse të njëjtin çmim thuajse kanë një çmim standard” , tha Erion Alimema, agjent imobiliar.
Vetëm në gjysmën e parë të vitit apartamentet janë shtrenjtuar me 6.7% më shumë sipas Bankës së Shqipërisë, ndërsa prej 2013-ës me gati rreth 49.4%, ku Tirana ka çmimet më të larta të banesave ku që prej asaj kohe janë dyfishuar.
Top Channel