Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar listën e personave të shpallur “non grata” gjatë vitit 2021 dhe ia ka dorëzuar atë Kongresit Amerikan.
Në listën e publikuar nga DASH është edhe emri i ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe familjarëve të tij, bashkëshortes Liri Berisha dhe dy fëmijëve Shkëlzen dhe Argita Berisha Malltezi, të cilët u shpallën non grata më 19 maj, 2021.
Lista është publikuar në faqen e internetit të DASH, së bashku me emrat e personave të tjerë të shpallur “non grata” në botë, të cilët akuzohen për korrupsion dhe shkelje të rëndë të drejtave të njeriut.
Ish-kryeministri shqiptar dhe familjarët e tij janë të renditur mes të korruptuarve nga Bullgaria, Paraguai, Namibia dhe Guatemala.
Por kush janë ish-zyrtarët dhe zyrtarët që e shoqërojnë ish-kryeministrin Berisha dhe familjarët e tij në këtë “listë të zezë”?
Lista fillon me deputetin e Paraguait, Ulises Rolando Quintana Maldonado dhe pasohet nga Mirtha Beatriz Esperanza Fariña Velausteguiz, e cila është bashkëshortja e tij. Ai, së bashku me bashkëshorten nuk do të lejohen të futen në SHBA dhe as nuk do të kenë mundësi të përdorin llogaritë e tyre bankare që kanë hapur në Paraguai.
Në vendin e tretë të listës renditet ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha, i cili pasohet nga bashkëshortja, djali dhe vajza.
Në vend të shtatë renditet ish-zv/ministri i Ekonomisë në Bullgari, Aleksandër Manolev dhe vijon më poshtë me bashkëshorten e tij, dy vajzat dhe djalin.
Vendin e 12-të në listë e mban njeriu që bullgarizoi 2 mijë shqiptarë. Ish-drejtori i Agjencisë për Bullgarët Jashtë Vendit, Petar Haralampiev.
Lista vijon me ish-deputetin bullgar Delyan Peevski, i njohur si një nga manjatët më të mëdhenj të medias në Bullgari.
Dimitrov Zhelyazkov, ish-zv/drejtor i Agjencisë Shtetërore Bullgare për Operacionet Teknike.
Vania Ilkova Zhelyazkova është vajza e Dimitrov Zhelyazkov.
Rosa Ilkova Zhelyazkova është vajza e Dimitrov Zhelyazkov.
Në vendin e parafundit të listës renditet Namibia, me ish-ministrin e Peshkimit dhe Burimeve Detare, Bernhardt Esau së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tij.
Vijon me ish-ministrin e Drejtësisë dhe ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Sacky Shanghala.
Dhe mbyllet me Guatemalën, ku DASH shpall “non grata”, ligjvënësin Boris Roberto España Caceres, i cili pasohet nga bashkëshortja dhe vajza e tij.
Top Channel