Inflacioni shkoi në 2.5 për qind/ Ndikimin më të madh dha rritja e çmimit të ushqimeve me 4.6 për qind

08/10/2021 15:12

Rritja e çmimeve të produkteve të shportës kryesisht por edhe mallrave e shërbime të tjera kanë bërë që inflacioni të arrijë në shtator në nivelin e 2.5%, nga 1.5 % që ishte një vit më parë.

Me gjithë rritjen, që përkon edhe me nivelin më të lartë prej janarit të 2017 kur niveli i inflacionit “kërceu” në 2.8%, ky tregues vijon të jetë poshtë objektivit të bankës qendrore sipas të cilës rritja e fortë e çmimeve javët e fundit do të japë një ndikim të madh në normën e inflacionit në vijim.

Thuajse të gjitha çmimet e mallrave janë rritur, por më i fortë ka qenë shtrenjtimi ushqimeve me 4.6%, ku qytetarët çojnë edhe pjesën më të madhe të shpenzimeve familjare, rreth 41.3% të totalit të tyre. Rritja më e madhe në këtë grup është shënuar për zarzavatet, frutat, vajrat e yndyrtat si dhe në çmimin e bukës e drithërave.

Pas produkteve të shportës, qytetarët kanë paguar më shumë edhe për transportin për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve thuajse për të gjitha llojet nga nafta e deri te gazi që tregtohen ndjeshëm më shtrenjtë se një vit më parë në pikat me pakicë të karburanteve.

Faturat janë shtrenjtuar edhe për qiratë, ujin e energjinë si dhe për arredimin e shtëpive, teksa më shumë konsumatorët po paguajnë edhe në kafene e restorante ku është konstatuar së fundmi një shtrenjtim i kafes por edhe pijeve të tjera.

Vala e rritjes së çmimeve duket se do të vazhdojë ndikuar edhe nga situata e krijuar në tregjet ndërkombëtare ku tashmë flitet për krizë energjie, shtrenjtim të lëndëve të para si dhe për produkte të tjera, çka pritet të ndikojë edhe në vijim edhe në normën e inflacionit.

Pak ditë më parë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se banka po monitoron situatën në tregje dhe ky shtrenjtim i çmimeve në rang global mund të jetë i përkohshëm, duke shtuar se institucioni është gati të ndërhyjë në çdo kohë me politikat e nevojshme për të mbajtur në objektiv inflacionin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA