Departamenti amerikan i Shtetit zgjodhi ta shihte në një këndvështrim më pozitiv rezultatin e samitit të Sllovenisë. DASH e përshëndeti premtimin e Bashkimit Europian për të mbajtur “derën hapur” siç tha zëdhënësi i tij, Ned Price, për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ne e mirëpresim deklaratën e BE-së për rajonin. Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia vazhdojnë të demonstrojnë angazhimin e tyre për reforma. Është e rëndësishme që dera e BE-së të lihet e hapur për ta”, tha Price.
BE-ja zhvilloi të mërkurën në Slloveni një samit me përfaqësues të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në fund të takimit, u miratua një deklaratë, në të cilën mbështetej perspektiva europiane e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe “riafirmohet përkushtimi për procesin e zgjerimit”. Aty nënvizohej megjithatë se ky i fundit do të bazohej në “reformat e besueshme nga partnerët, kushtëzimi i drejtë dhe rigoroz dhe parimet e meritave individuale”.
Aktualisht, Mali i Zi dhe Serbia kanë hapur disa kapituj të negociatave të anëtarësimit. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në pritje të nisjes së këtyre negociatave, ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në – që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.
Top Channel