Në kërkim për vrasje, arrestohet 30-vjeçari në Shkodër, në kërkim bashkëpunëtori i tij, sekuestrohen armë e drogë

07/10/2021 15:58

Një 30-vjeçar i shpallur në kërkim për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje u arrestua sot në Shkodër.

Në një deklaratë për mediat, policia tha se Luverdo Kola, drejtues i një grupi kriminal, gjatë arrestimit të tij iu gjet edhe një armë zjarri pistoletë që e mbante me vete.

Arrestimi i tij u krye në kuadër të operacionit të koduar “Alvana”, i cili u zhvillua nga strukturat hetimore të policisë së Shkodrës, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja” dhe ato Operacionale, ku dhe u sekuestruan edhe 80 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe një sasi municioni luftarak.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit në kërkim Luverdo Kola, 30 vjeç, banues në Shkodër. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, Policia i gjeti një armë zjarri pistoletë dhe një krehër me fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, më datë 23.09.2020, i ka vendosur masën “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. Më datë 01.09.2020, ky shtetas ka plagosur me armë zjarri shtetasin T. L”, citohet nga deklarata e policisë.

Po ashtu, u shpall në kërkim edhe njëri prej bashkëpunëtorëve, shtetasi Gezim (Gjin) Çakaj 52 vjeç, banues në Malësi të Madhe, i shpallur në kërkim, pasi me vendimin e datës 24.09.2018 të Gjykatës së Apelit Shkodër është dënuar me 4 vite burgim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Ky shtetas, në momentin që janë afruar shërbimet policore, duke përfituar nga terreni i pyllëzuar, është larguar.

Policia tha se në kuadër të këtij operacioni është ushtruar kontroll në vendin e quajtur “Alavana”, fshati Xhan, në banesën e shtetasit Gezim (Gjin) Çakaj. Në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 80 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe një sasi municioni luftarak.

Mësohet se po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e pjesëtarëve të tjerë të grupit kriminal, si dhe të personit të shpallur në kërkim.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel