Mazhoranca dhe opozita bëjnë paqe për vaksinat! Miratohet pa asnjë votë kundër akti normativ për blerjen e 500 mijë doza Pfizer

07/10/2021 15:22

Kuvendi ka miratuar aktin normativ për blerjen e 500 mijë vaksinave Pfizer.

Pesëqind mijë dozat e vaksinave Pfizer që pritet të mbërrijnë deri në muajin dhjetor në Shqipëri, kanë bashkuar këtë të enjte mazhorancën dhe opozitën në Kuvend.

Marrëveshja në fjalë mori 126 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Mësohet se 14 deputetë kanë munguar në seancë gjatë votimit.

Akti Normativ që u miratua këtë të enjte kërkonte një shumicë të thjeshtë votash për miratim.

Seanca parlamentare e të enjtes nisi me një përplasje mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Kryedemokrati ripërsëriti akuzën se qeveria ka fshehur viktimat e COVID, por një deklaratë e tillë u mohua nga ministrja, e cila theksoi se vendi ynë ka fituar betejën dhe ndërkombëtarisht dhe se opozita nuk ka bërë gjë tjetër këto 18 muaj “veçse duke hequr vallen e vdekjes”.

Në fjalën e saj, Manastirliu tha se akti normativ i hap rrugë sigurimit brenda 3 muajsh të 500 mijë vaksinave Pfizer, ku seria e parë vjen brenda muajit tetor.

Ministrja, deklaroi se deri në fund të këtij viti, numri i vaksinave të mbërritura në vend do të shkojë në mbi tre milionë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA