Kur na ndajnë edhe 10 ditë nga Maratona e Tiranës, eventi më i madh sportiv i vitit, Bashkia e Tiranës firmosi sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Ambasadën e Greqisë për bashkëorganizmin e edicioneve për 3 vitet e ardhshme, jo vetëm të Maratonës së Tiranës, por edhe të aktivitetit tjetër të suksesshëm sportiv, që çeli siparin verën e kaluar, Tiranathlon.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ambasadoren e Greqisë në Tiranë, Sophia Philippidou, firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit 3-vjeçar për të dy eventet sportive në kryeqytet. Veliaj i shprehu mirënjohjen e veçantë në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës ambasadores Philippidou, duke e cilësuar bashkëpunimin në sport dhe jo vetëm, por edhe në art e kulturë si diplomacinë më të mirë mes dy vendeve.
“Ishte një kënaqësi shumë e veçantë që firmosëm një marrëveshje bashkëpunimi mes qytetit të Tiranës dhe Ambasadës Greke, për të bashkëpunuar në 3 vitet e ardhshme për dy evente shumë të dashura për qytetin, jo vetëm për ata që merren me sport, por edhe për të gjithë qytetarët që shikojnë se si qyteti promovohet nëpërmjet sportit. Organizimi i Maratonës së Tiranës dhe i Triathlonës është kthyer në një kartolinë për të gjithë miqtë që kanë ardhur nga Greqia, apo vende të tjera, që ndoshta më përpara nuk e kanë njohur Shqipërinë, bukurinë e këtij vendi dhe mikpritjen e njerëzve tanë. Ndaj, jam sot shumë mirënjohës dhe i lumtur që jemi partnerë në këtë bashkëpunim,” u shpreh Veliaj.
Ambasadorja e Grëqisë, Sophia Philippidou, tha se marrëveshja nënshkruhet pas suksesit të aktivitetit të fundit, ku Bashkia e Tiranës dhe ambasada ishin bashkëorganizatore të Tiranathlon, në Parkun Helen, në Liqenin e Farkës. “Jam shumë e lumtur që nënshkruajmë këtë marrëveshje sot, e cila vjen si vijueshmëri e një eventi të suksesshëm, për të cilin kemi bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës. Po flasim për Tiranathlon, e cila u zhvillua në qershor. Tani kemi përpara zhvillimin e Maratonës së Tiranës dhe shpresoj që vitin e ardhshëm të marrim pjesë si vrapues,” u shpreh diplomatja greke, duke shtuar se, bashkëpunimi do të shtrihet edhe në fusha të tjera, në kuadër të eventeve të vitit të ardhshëm, kur Tirana do jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë. “Vitin tjetër Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe ne po shohim mundësitë e bashkëpunimit edhe me bashkitë e tjera në Greqi, për të promovuar ndryshimin veçanërisht tek të rinjtë, projektet mjedisore, si dhe evente të tjera,” deklaroi Philippidou.
Kryebashkiaku Veliaj ftoi edhe njëherë të gjithë qytetarët e Tiranës e jo vetëm, të marrin pjesë në Maratonë të dielën, në datën 17 Tetor. “Ju presim në 17 Tetor për Maratonën e Tiranës. Do të kemi çmime realisht kompetitive për kategori të veçanta, si ato për personat me aftësi ndryshe. Do të kemi edhe gara të distancave të ndryshme sepse jo të gjithë mund të bëjnë 42 km, si atletët profesionistë. Të shtunën, ditën përpara maratonës, do të kemi edhe krosin e të rinjve të Tiranës, sepse dashurinë për sportin duam ta injektojmë që në moshë të re,” theksoi Veliaj.
Maratona e Tiranës 2021 do të mbahet më datë 17 tetor dhe do të ketë 4 kategori: Marathon (42.195); Half Marathon (21, 0975 km); Tirana 10K dhe “We too”. Nuk do të mungojë as gara Fun Run, e cila do të zhvillohet një ditë para garës së madhe me datë 16 tetor 2021 me të rinjtë e shkollave te mesme të Tiranës. Itinerarët e rinj të çertifikuar nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës, (IAAF) do të përshkruajnë pikat më atraktive të qytetit, duke e kthyer këtë garë jo vetëm në sfidë, por edhe në argëtim.
Top Channel