Çdo ditë të 20 viteve të qëndrimit ndërkombëtar në Afganistan, nga 2001-2021 ishte një ditë plot shpresë, plot ëndrra, sidomos për gjeneratën e re dhe gratë afgane. Të rinjtë nga i gjithë vendi, gjatë këtyre 20 viteve u arsimuan në disa prej universiteteve më të mira të botës. Institucionet arsimore në Afganistan po ashtu u përmirësuan. Në shkolla kishte më shumë se 10.5 milion fëmijë, 40% prej të cilëve ishin vajza. Në universitetet dhe institucionet e arsimit të lartë kishte më shumë se 150.000 të rinj të cilët ëndërronin të ishin të dobishëm për Afganistanin.

Të gjithë aspironin të bënin gjëra të nevojshme për vendin e tyre. Gjatë këtyre 20 viteve, lufta nuk ndaloi për asnjë ditë. Ishte e përditshme të dëgjoje lajme për kamikaz, sulme nëpër spitale, nëpër qytete, qytetar të pafajshëm të vrarë. Megjithatë qytetarët afganë kishin besim tek prezenca e komunitetit ndërkombëtar. Çdo gjë funksiononte mirë. Kishte korrupsion, por njerëzit ëndërronin një të ardhme më të mirë, të qëndrueshme.
Dhe ndodhi që e gjetën veten refugjatë, por të strehuar në kushte shumë komode pushimi.

Ata shëtisin në resort, bëjnë banjo dielli, ndjekin lajmet në mediat e huaja, komunikojnë në rrjetet sociale. Disa fëmijë i sheh me fletore në dorë. Disa të tjerë përpiqen të vijojnë punën e lënë pas përmes internetit, syresh të tjerë kërkojnë të aplikojnë për punë. Pjesa më e madhe di mirë anglisht, pak nuk dinë. Disa prej tyre nuk pranojnë të intervistohen sepse nuk kanë marrë leje nga kryetari i grupit, të tjerë justifikohen se kanë punë. Një pjesë e dinë se çfarë duhet të thonë e një pjesë tjetër arrijnë të artikulojnë atë se çfarë i shqetëson me të vërtetë.

Të gjithë qytetarët afganë me të cilët komunikoi Top Story ndjehen mirënjohës ndaj SHBA-ve, organizatave ndërkombëtare, qeverisë shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë që i kanë mikpritur. Por ata janë në situatë të tillë që nuk mund ta shijojnë qëndrimin e tyre si pushim të gjatë veror. Parëarish Oryakhail është një ndër gratë shumë të arrira të Kabulit në lëmin e karrierës. Përpara se të vinte në Shqipëri, ajo qëndroi 5 ditë në Abu Dhabi.

Oryakhail ka punuar në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Grave të Afganistanit. Mbante pozicionin e zëvendës CEO. Është po ashtu themeluese e Dhomës së Grave e cila është Dhoma e Grave e parë dhe e vetme në Afganistan. Në Korrik, do të merrte një detyrë të re, që lidhej me “Made by Afgan Uomen” Është markë tregtare e iniciuar nga Dhoma e Grave e cila kishte për qëllim të bëhej një seksion i pavarur. Bashkëpunonte me një kompani të huaj për të promovuar produktet e grave si frutat e thata, qilima, bizhuteri, punime artizanale. Oryakhail shërbente gjithashtu edhe në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Afganistani-Pakistanit.

“Mendoj se ka qenë një investim në këto gra të cilat na u morën nga talibanët. Përpara se të vinin talibanët, gratë kishin lirinë të udhëtonin të lira pa patur nevojën të shoqërohen me një burrë nga familja. Mund të shkonin të kërkonin për arsim, të punonin, të drejtonin një biznes, të bënin pazaret. Mendoj se gratë gëzonin liri e të mira. I kishim përjetuar një herë kufizimet e talibanëve ndaj grave. Kufizime në lirinë e lëvizjes, lirinë e fjalës, asksesin për informacion dhe arsim. U shqetësuam kur dëgjuam se Amerika do të tërhiqte trupat nga Afganistani por vazhdonin të kishim shpresë sepse kishim një president atje i cili na jepte shpresë dhe ne mbështeteshim tek ai se nuk do ia dorëzonte qeverinë talibanëve. Por kur erdhën talibanët… unë personalisht nuk dilja dot nga shtëpia për një javë”.

Zhvillimi i grave i ka dhënë Afganistani më shumë se 80 milion euro investim nga ana e tyre. Oryakhail ka qenë i vetmi person që gjeneronte të ardhura në familjen e saj dhe tani gjendet refugjate e papunë. Ajo ndjehet tejet e shqetësuar se çfarë mund ti ndodhë familjes së saj në Kabul.

“Kam nënën, motrën, vëllain të cilët janë beqarë dhe vëllain tjetër i cili ka familje, bashkëshorte dhe dy fëmijë. Unë isha e vetme që mbështesë financiarisht familjen tonë. Po përpiqen të mbijetojë me çfarë kanë në gjendje. Po përpiqem të shikoj nëse mund të vazhdoj punën time në mënyrë virtuale apo nëse mund të bëj ndonjë punë këtu për të përmbushur nevojat e mija dhe për të ndihmuar familjen time.

Është situatë e mjegulltë. Nuk kemi asgjë të qartë. Kur ishim tek konviktet në Tiranë për 3 ditë, para se të vinim tek ky resort, takuam Ambasadorën e SHBA-së dhe Ministren e Jashtme. Folëm me ta. Të paktën ambasadorja duhet të përqendrohet tek ne dhe tek personat që kanë mbetur në Afganistan. Ne prisnim të fillonte procesi për kalimin në SHBA, kemi nevojë për viza, duhet të kalojmë një proces biometrik, analiza mjekësore dhe më pas duhet të përgatitemi dhe të ikim por asgjë prej këtyre nuk ka ndodhur.

Çdo gjë është e paqartë për ta. Ata ende nuk dinë me siguri se çfarë do të ndodh në të ardhmen. Nuk dimë nëse do të kemi të njëjtën rutinë. Do të vijmë, do të hamë, do të shkojmë në dhomë, apo ndonjë gjë tjetër. Procesi jonë nuk ka filluar. Çdo gjë është e mjegulltë. Njerëzit që kanë ardhur me ne në të njëjtin avion, të njëjtën natë kanë ikur në SHBA. Dëgjova se janë në bazë ushtarake aty dhe se ka filluar procedura e tyre. Gjërat janë të mjegullta për ne. Kur pyesim na thonë se nuk din gjë. Duhet të presim për qeverinë e SHBA-së, se çfarë do të thotë Departamenti i Shtetit. Mendoj se duhet të na përshpejtojnë procedurat.

Ata kërkojnë që nëse Departamenti i Shtetit e ka një plan, duhet ta ndaj publikisht, sepse kanë shumë pyetje dhe këto sipas tyre lindin nga mungesa e informimit dhe komunikimit me ta. Kush janë ata që kanë aplikuar për viza me përparësi, të cilat janë me përparësi 1 dhe përparësi 2. Edhe pse jemi në resort i cili është me 4 apo 5 yje, nuk mund ta shijojmë ngaqë nuk dimë të ardhmen tonë, se ku do të na çojnë. Duam vërtetë të përqendrohet tek kjo çështje, të nisin procesin. Duam një jetë normale.

Nëse jemi jashtë Afganistanit, duam një jetë normale. Nëse procesi kërkon kohë, do të doja shfrytëzoja kohën për të studiuar ose për të punuar, ose të merrem me më shumë veprimtari. Siç ju thash dua një jetë normale. Është e vështirë. Nuk është normale. Vijmë, hamë dhe ikim. Më parë ishim të zënë nga mëngjesi deri pasdite e më pas kalonim kohë me familjen. Tani nuk e kemi familjen këtu. Nuk kemi punë këtu. Kjo nuk është normale për ne.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA