Top Story/ A ka qënë qeveria shqiptare transparente në procesin e strehimit të refugjatëve afgan të luftës?

06/10/2021 23:29

Strehimi i refugjatëve afganë të luftës në opinionin publik shqiptar ngjalli shumë diskutime, ku më i thekshmi ishte: të pranoheshin ose jo.

Për disa syresh ky diskutim qëndron ende, ndërsa për disa të tjerë mungesa e transparencës dhe vendimmarrja arbitrare nga ana e kryeministrit Edi Rama i ka mveshur procesit humanitar hije dyshimi dhe misteri. “Mendoj që është diskutim i drejtë të pranohen apo jo. Në ghithë botën bëhen këto diskutime. Duhet të ishte proces diakutimi i gjerë. Vendimi është marrë inkonjito nga kryeministri. Siç personalizohen gjithë gjërat, është personalizuar edhe ky vendim i rëndësishëm.

Mendoj që duhej të kishte pasur një debat qytetar, mediatik në të njëjtën kohë dhe kjo shkon dorë më dorë me transparencën. Debati i pranimit apo mospranimit të refugjatëve arrin të rrëzojë edhe qeveritë në botë. Kjo ndodh në vendet demokratike, ne si vende hibride demokratike jemi ende larg” u shpreh Edith Harxhi, Eksperte në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

“Qëndrimi i Shtetit Shqiptar është Qendrimi i vendeve anëtare të NATOS. Edhe fakti që I pranuam rrefugjatët afganë të luftës, si vend anëtar I NATO , Shqipëria jo vetëm që përfiton nga qenia në këtë organizatë por ka edhe detyrime. Një ndër to është edhe barra e përgjegjësisë që ndahet mes vendeve. Të mos jetë free rider, por të mbajë edhe përgjegjësi” u shpreh Fatos Tarifa, pedagog.

Idea për strehimin e refugjatëve afganë të luftës do të vinte në fakt nga kryeministri shqiptar Edi Rama në samitin e NATOS të muajit qershor. “Por në momentin e parë kemi reaguar nga kërkesa e dy entiteteve të SHBA-ve, kemi qenë dakord pasi unë kam ngritur qysh në samitin e NATOS nevojën për një plan shpërndarjeje mes vendeve anëtare të NATOS të atyre që nuk ishte shkencë, por një logjikë e thjeshtë do të ktheheshin në shenjëstër të talebanëve si tradhtarë të atdheut sepse kishin bashkëpunuar me armikun dhe në këtë rast armiku ishim ne, dmth NATO” u shpreh Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Në fakt diskutimi në gjithë botën është I ndryshëm. Në vendet perëndimore, në BE, në SHBA diskutimi është për rolin udhëheqës që kanë SHBA-të dhe BE në krizën botërore. A kanë koordinuar të dy fuqitë e mëdha paraprakisht në Afganistan , cilat janë impaktet që duhet të ketë në të ardhmen Afganistani për momentet e tjera gjeopolitike siç është situata në Ukrainë, çështja e Taiëanit si dhe shumë probleme të tjera.

Por ne si një fshat në periferi dhe duke përdorur për interesa politike sigurisht flasim vetëm për atë për të cilën Shqipëria me të drejtë dhe në mënyrë të duhur ka pranuar të marrë pjesë nga përgjegjësia për mbajtjen e ayilantëve nga Afganistani për të ardhur në vendin tonë” u shpreh diplomati Agim Nesho.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA