Protestë për pallatin në Durrës/ Banorët e pallateve të dëmtuara nga tërmeti: Pse u ndërprenë punimet?

06/10/2021 15:25

Afro 2 vjet pas tërmetit, procesi i rindërtimit në Durrës po vijon, por nuk mungojnë problemet dhe shqetësimet e qytetarëve. Banorë të një pallati në lagjen 12 të Durrësit kanë protestuar para bashkisë, pasi punimet për riforcimin e pallatit të dëmtuar janë ndërprerë, po ashtu dhe bonusi i qirasë për banorët.

“Jemi përfaqësuesit e një pallati prej 100 familjesh dhe duam të dimë pse u ndërpre rikonstruksioni, kur dëgjojmë se sfida e tërmetit është përballuar. Jemi kthyer në familje ciganësh. A kemi shpresë apo nuk kemi?”

“Tre katet e para janë krejtësisht të shkepura. Nuk e dimë çfarë po ndodh dhe shtëpitë lart vazhdojnë të amortizohen. Po hyjmë në vitin e dytë që nuk jetojmë në to”, thotë një tjetër banor.

Punimet në objekt nisën në muajin qershor të këtij viti dhe u ndërprenë në gusht, po deri tani banorët nuk kanë asnjë shpjegim për arsyet e kësaj situate që do të vonojë kthimin në banesat e tyre.

Ne vijmë në institucione dhe nuk na presin. Na thonë që kryetarja është shumë e zënë. Ajo nuk ishte e zënë në prill kur erdhi dhe na takoi e na tha që po në prill do të nisin punimet. Tani që është problem faktik nuk ka kohë. Më intereson djersa e prindërve të mi dhe djersa ime“.

Lidhur me shqetësimin e banorëve, në bashkinë e Durrësit sqarojnë se gjatë punimeve ka dalë në pah nevoja për rishikimin e projektit për të zgjidhur probleme të paparashikuara, por kjo është shoqëruar me një preventiv që e kalon ndjeshëm vlerën e fondit të tenderuar, për të cilin firma zbatuese ka nënshkruar kontratën.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA