Grupi i Çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan i bëri thirrje Presidentit Joe Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, të dyfishojnë vëmendjen e Shteteve të Bashkuara në zgjidhjen e tensioneve Kosovë-Serbi si edhe i kërkuan administratës të shtojë angazhimin për një zgjidhje përfundimtare mes dy vendeve.
Kërkesa e bërë përmes një letre dërguar Biden dhe Blinken, vjen si rezultat i atij që ligjvënësit e quajnë përshkallëzimin e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, thote VOA. “Javën e fundit u shfaq një situatë shqetësuese si rezultat i një mobilizimi ushtarak në kufi, duke kërcënuar stabilitetin e pasigurt në rajonin e Ballkanit.
Duke pasur parasysh forcën joproporcionale të forcave të armatosura të Serbisë, ne ju bëjmë thirrje që të ripërtërini angazhimin e Shteteve të Bashkuara për t’u siguruar që aleati ynë Kosova të marrë trajtim të drejtë dhe njohje si vend i pavarur”, thuhet në letër, ku nënvizohet sidomos fakti që tensionet u përshkallëzuan pasi avionë luftarakë serbë fluturuan pranë kufirit Kosovë-Serbi.
Duke iu referuar zbatimit për reciprocitetin e targave, grupi për çështjet shqiptare, që ka si bashkëkryetarë anëtarët e Kongresit Ritchie Torres the Jim Hines, thotë se masa e Kosovës për reciprocitetin e targave u mor në një kohë kur Serbia kishte 10 vjet që bënte të njëjtën gjë me makinat nga Kosova.
Top Channel