Kriza energjetike globale ishte e paralajmëruar dhe autoritetet nuk treguan kujdes në menaxhimin e saj.
I këtij mendimi është eksperti për energjinë Elton Cekrezi sipas të cilit rritja e çmimit të energjisë në import ishte e pritshme si rrjedhojë e kërkesës së lartë pas pandemisë.
As sot kur situata është bërë shqetësuese kudo në botë dhe faturat e energjisë janë shtrenjtuar nga disa vende, qeveria nuk ka dalë me një plan masash se si do të menaxhohet situata.
“Duhet të ishim pak më të vëmendshëm dhe pak më të kujdesshëm sepse kjo gjë ishte e pritshme. Dihej që çmimet do të vazhdonin të rriteshin, duke nisur nga lëndët e para, nisur nga trendi post Covid. Duhet të ishim më të përgatitur për këtë situatë që të mos arrinim në këtë pikë ku çmimi është kaq i lartë.”
Por, kujt do t’i faturohet kjo krizë? Eksperti Çekrezi shpjegon se në skenarin më më të mirë barra do të bjerë mbi bizneset me rritje të çmimit të energjisë.
“Nuk besoj se do të shkojmë në atë pikë që do kemi ndërprerje të energjisë apo moskapacitet furnizues të energjisë, por shoh më shumë skenarin që mund të ketë impakt te bizneset. Ato që mund të përballen me një rritje çmimi janë bizneset, që indirekt preken edhe vetë konsumatorët. Këtë shoh si zgjidhje për menaxhimin e situatës në këtë moment emergjent.”
Një situatë e tillë dëshmon për një ngecje në reformimin e sektorit të energjisë të trumbetuar me kaq bujë nga qeveria. Për ekspertët diversifikimi i burimeve të energjisë edhe përmes erës e energjisë diellore janë shpëtimi i ekonomisë, ndërsa theksojnë si domosdoshmëri edhe nevojën për liberalizimin e tregut dhe vënien në funksion të bursë.
Top Channel