KLP prezanton drejtuesin e ri të Prokurorisë Shkodër, Ibrahimi: Sistemi i prokurorisë është në ditë të vështira

05/10/2021 16:51

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë,  Gent Ibrahimi i shoqëruar nga anëtari i Këshillit Vatë Staka, zhvilluan një vizitë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, ku bëri dhe prezantimin e Drejtuesit të ri të kësaj zyre, Albert Murçaj.

Murçaj u caktua në këtë pozicion, përmes procedurës së ngritjes në detyrë, me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në mbledhjen plenare të një dite më parë.

Gjatë prezantimit, Gent Ibrahimi vuri në dukje se sistemi i prokurorisë, aktualisht, është në ditë të vështira, për shkak të largimeve nga procesi i vettingut, çka ka sjellë si pasojë dhe rritjen e ngarkesës së prokurorëve.

Ibrahimi siguroi të pranishmit se Këshilli i Lartë i Prokurorisë po ndërton një sistem vlerësimi të prokurorëve, i cili do të garantojë karrierën e tyre, bazuar kryesisht tek meritokracia.

Teksa vuri në dukje besimin e tij dhe përpjekjet e institucionit që drejton, për ngritjen e një sistemi karriere të qëndrueshëm për prokurorët, z. Ibrahimi theksoi faktin se prokuroritë kanë nevojë për një sistem elektronik të menaxhimit të çështjeve, i cili do të lehtësonte dhe përshpejtonte punën e organit e hetimit në tërësi.

Nga ana e tij, Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, Albert Murçaj, falenderoi Ibrahimi dhe Këshillin për vlerësimin, duke u shprehur me këtë rast se problematikat, me të cilat përballen sot zyrat e prokurorisë, duhen trajtuar sa më shpejt, pasi prokurorët duhet të ndihen të qetë se puna e tyre vlerësohet dhe garantohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA