Shirat e rrëmbyer kanë bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati në veriperëndim të Italisë, duke goditur rëndë sidomos rajonin e Ligurias të përballur me vërshime të befta uji e rrëshqitje toke.
Rrugët e Savonës u kthyen në lumenj balte, duke shkaktuar panic, megjithatë nuk ka raporte për jetë të humbura apo të lënduar.
Në qytetin –port të Gjenovës, zona më e populluar e Ligurias, autoritetet urdhëruan mbylljen e shkollave, parqeve e tregjeve në ambiente të hapura. Pas situatës së krijuar, zyrtarët lokalë dhanë alarmin e kuq nga kushtet atmosferike.
Liguria prej disa kohësh nuk ishte përballur me një mot kaq të keq, thonë mediat italiane, megjithatë së fundi ka arritur të thyejë dhe rekordin e reshjeve në vend me gati 50 cm shi brenda më pak se 6 orësh. Metereologët thonë se përkeqësimi i kushteve atmosferike erdhi më shpejt nga sa u parashikua, megjithatë kanë shpresë se më e keqja mund të ketë kaluar.
Top Channel