Asnjë shenjë nga pilotët e avionit/ Policia dokumenton ngjarjen në Vermosh, banorët panë një makinë që…

05/10/2021 11:06

Ulja e detyruar e avionit privat një ditë më parë në Vermosh dhe “zhdukja” e dy pilotëve ka vënë në lëvizje policinë e Shkodrës.

Mjeti fluturues ndaloi në bjeshkë, në lartësinë mbi 1100 metra mbi nivelin e detit. Sipas banorëve, në zonë u pa një makinë që mori dy shtetasit ndërsa në avion nuk u gjetën flamuj, dokumente apo mjete të tjera identifikuese, që mund të tregonin se kujt i përket.

Policia thotë se po bashkëpunon me policinë e Malit të Zi dhe Kosovës për të zbuluar rrugën që ppo ndiqte avioni sportiv dhe cilin vend kishte si destinacion përfundimtar.

Ndërkohë, dyshimeve se kemi të bëjmë me një rast të trafikimit të lëndëve narkotike, policia i përgjigjet se në mjet nuk u gjet asnjë mjet i jashtëligjshëm. As shkaku përfundimtar i rënies së avionit nuk është përcaktuar, ndërkohë që nuk është identifikuar as mjeti që mori dy shtetasit dhe u largua me shpejtësi nga vendngjarja.

Njoftimi i plotë i policisë:

Më datë 04.10.2021, në orën 12:30, në sallën operative të Komisariatit të Malësisë së Madhe, Shkodër, ka ardhur një telefonatë se në fshatin Velipojë, Vermosh, Njësia Administrative Kelmend, bashkia Malësia e Madhe, ishte rrezuar një avion sportiv.

Me marrjen e njoftimit, menjëherë në drejtim të adresës së dhënë u nisën shërbimet e Policisë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, për të verifikuar informacionin, si dhe u ngrit grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Nga veprimet e para hetimore dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se në vijë ajrore  rreth 800 m nga kufiri me Malin e Zi,  është konstatuar i rrëzuar dhe i dëmtuar një avion sportiv dyvendësh, ngjyrë gri, me gjatësi 6 m, gjerësi 10.5 m (nga skaji i njërit krah te tjetri), gjatësi të krahut 4.7 m dhe gjerësi të kabinës 1.1 m., në të cilin nuk u gjendën shenja dalluese si: flamur, dokumente të origjinës apo ndonjë dokument tjetër identifikimi.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer nga grupi hetimor në brendësi të avionit nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.

Në bashkëpunim dhe me vendet fqinje, Mali i Zi dhe Kosovë, po punohet për përcaktimin e itinerarit të fluturimit që ka ndjekur ky avion, identifikimin e pilotëve dhe të personave të tjerë të përfshirë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon veprimet hetimore për identifikimin e automjetit që ka marrë dhe larguar pilotët nga vendngjarja, si dhe për përcaktimin e shkaqeve të rënies së avionit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA