Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 26-vjeçar, i cili u kap duke transportuar dy emigrantë të paligjshëm me shtetasi siraniane. Po ashtu policia njofton se në kërkim është shpallur dhe një 29-vjeçar, i cili dyshohet se është organizator i kësaj veprimtarie kriminale.
“Në vijim të punës për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat”, u arrestua në flagrancë shtetasi:
K.G., 26 vjeç, banues në Kukës.
Ky shtetas është kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Vangjel Noti” Laprakë, duke transportuar dy shtetas sirianë të cilët kishin hyrë në mënyrë të rregullt nga aeroporti i Rinasit dhe po tentonin të largoheshin në mënyrë të paligjshme nga territori i Republikës së Shqipërisë”, njofton policia.
Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. S, 29 vjeç, i cili dyshohet se është organizator i kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në bashkëpunim.
Top Channel