Skandali i “Pandora Papers”/ Del emri i një politikani shqiptar, pasuritë në offshore

04/10/2021 12:52

Superskandali i Pandora Papers nuk ka lënë pa prekur as Shqipërinë. Investigimi i një konsorciumi ndërkombëtar gazetarësh investigativë dhe një grupi prej 150 mediesh zbuloi lidhjet e 330 zyrtarë publikë në të gjithë botën me llogaritë offshore.

Një hulumtim i thjeshtë në faqen që ka publikuar të dhënat tregon se një politikan shqiptar ka fshehur pasuritë e tij jashtë kufijve duke investuar përmes parajsave fiskale, por emri i tij nuk behet publik. Po kështu, zbulohen të dhëna të 27 mijë kompanive, 13 nga të cilat në vendin tonë.

“Pandora Papers” tregon se 35 përqind e udhëheqësve të sotëm dhe të mëparshëm botëror, përfshirë edhe ish-kryeministrin Britanik Tony Blair, mbretin e Jordanisë dhe presidentin e Kenias, Uhuru Kenyatta, si edhe miliarderë të fuqishëm janë partnerë në kompani që shfrytëzojnë parajsat fiskale offshore. Blair, ish-këshilltar i kryeministrit Rama, edhe pse publikisht është shprehur për vite të tëra kundër evazionit fiskal, rezulton të ketë në pronësi bashkë me të shoqen një godinë 8,8 milionë dollarë amerikanë (7,6 milionë Euro) kur ata blenë një kompani real estate offshore nga familja e ministrit të Industrisë dhe Turizmit të Bahrenit, Zayed bin Rashid al Zayani.

Duke blerë aksionet e kompanisë dhe jo godinën direkt, Blair dhe gruaja e tij Cherie arritën të mënjanojnë pagesën e taksës për pronën në shumën 400.000 Dollarë amerikanë. Dokumentat e ekzaminuara tregojnë shtrirjen, në të cilën operacionet sekrete offshore kanë prekur politikat financiare globale. Ministrat e financave të Pakistanit, Holandës dhe Brazilit kanë të gjithë lidhje me kompanitë offshore, ashtu si edhe ministrat e mëparshëm të financave të Maltës dhe Francës duke përfshirë edhe ish-shefin e FMN-së, Dominique Strauss-Kahn.

Sipas ICIJ Pandora Papers tregojnë, se njerëzit e fuqishëm me pushtet, që mund të ndihmojnë t’i jepet fund sistemit të offshoreve, në fakt janë përfitues prej këtyre sistemeve. Ata fshehin asete në kompani dhe truste të fshehta ndërkohë që qeveritë e tyre përkatëse bëjnë pak për të ndaluar qarkullimin global të parave ilegale duke pasuruar kriminelët dhe varfëruar vendet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA