Edicioni i 21-të i Konferencës Ndërkombëtare të Trendeve në Nanoteknologji, një nga konferencat kryesore europiane kushtuar shkencës dhe teknologjisë nanoskale, ka mbledhur në Tiranë këtë vit rreth 400 pjesëmarrës nga e gjithë bota. Objektivi kryesor i këtij Nano-Workshopi, i cili do të zgjasë plot 4 ditë, është rritja e mëtejshme e bashkëpunimit midis tre vendeve: Shqipërisë, Japonisë dhe Spanjës në fushën e Nanoshkencës dhe Nanoteknologjive dhe aplikimet e tyre në fusha të rëndësishme, si shkencat e jetës, teknologjitë e informacionit dhe energjisë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili ka përshëndetur Konferencën në ceremoninë e çeljes së saj, u shpreh i lumtur që më në fund kryeqyteti është hapur edhe për takime të tilla shkencore të nivelit të lartë. “Është kënaqësi që ju sollët këtë Konferencë në Tiranë, por ajo që më bën mua jashtëzakonisht të lumtur është hapja e kryeqytetit pas Covidit edhe për shkencën. Unë shpresoj vërtet që ky të jetë vetëm fillimi i serive të këtyre eventeve, pasi Tirana vitin e ardhshëm do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë,” u shpreh Veliaj.
Ndërsa duke e vënë theksin te hapja e Shqipërisë ndaj vetë shkencës, kryebashkiaku tha se në zemër të Tiranës po ngrihet qendra më e madhe e teknologjisë në Ballkan. “Ju e dini që në Bulevardin pranë zyrës së Kryeministrit ne po punojmë për Piramidën e re. Piramida e Tiranës funksionoi si një mauzoleum për diktatorin Enver Hoxha, pasi ai u nda nga jeta kaloi në një muze, pastaj në një disko, ndërsa tani ajo do të jetë akademia më e madhe e kodimit për fëmijët tanë. Mendoj se ky është një angazhim dhe vullnet i yni politik për të zhvilluar shkencën,” nënvizoi Veliaj.
Në Shqipëri vetëm pak kohë më parë është ngritur pranë Akademisë së Shkencave Njësia e Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë Shqiptare.
Top Channel