Migrantët pa dokumenta, të cilët jetojnë në SHBA, mund të dëbohen vetëm nëse përbëjnë një kërcënim për sigurinë e vendit, sipas direktivave të reja nga shërbimet e emigracionit.

Këto masa, të cilat kufizojnë rrezikun e dëbimit për miliona njerëz, do të zbatohen për ata që kanë mbërritur në tokën amerikane para 1 nëntorit 2020. “Fakti që një individ është i huaj në një situatë deportimi nuk duhet të jetë baza e vetme për aplikimin e procedurës”, tha ministri amerikan për Sigurinë Kombëtare (DHS), Alejandro Mayorkas, në dokumentin e dërguar shërbimeve të tij.

“Është vlerësuar se më shumë se 11 milionë emigrantë të paligjshëm jetojnë në SHBA dhe ne nuk kemi burime për t’i ndaluar dhe dëbuar të gjithë”, shpjegoi ai. “Shumica e tyre kanë kontribuar prej vitesh në shoqëri, ka njerëz që kanë qenë në vijën e parë në luftën kundër COVID-19, ata drejtojnë kongregacionet fetare, mësojnë fëmijët tanë, bëjnë punë rraskapitëse bujqësore”, shtoi Mayorkas.

Udhëzimet e reja të DHS-së, të cilat hyjnë në fuqi më 29 nëntor, i japin përparësi dëbimit të të huajve që përbëjnë një “kërcënim për sigurinë kombëtare”, të tilla si veprimtari terroriste ose spiunazhi, ose ata që paraqesin një “kërcënim për sigurinë publike”, sepse kanë kryer krime ose vepra të rënda penale.

Për këta të fundit, megjithatë, autoritetet do të duhet të marrin parasysh faktorë të caktuar, të tilla si mosha e tyre, kohëzgjatja e pranisë së tyre në territorin amerikan ose ndikimi i dëbimit të tyre në familjet e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA