Kompania farmaceutike Merck & Co njoftoi se ilaçi i saj eksperimental kundër COVID-19 përgjysmon shtrimet në spital si dhe vdekjet te njerëzit e infektuar kohët e fundit me koronavirus dhe se së shpejti do të kërkojë nga zyrtarët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën që të autorizojnë përdorimin e tij.
Nëse miratohet, ilaçi i firmës Merck do të ishte pilula e parë që do të përdorej për të trajtuar COVID-19, një hap potencialisht i madh në përpjekjet për të luftuar pandeminë, thotë VOA. Të gjitha terapitë për COVID-19 të autorizuara tani në Shtetet e Bashkuara kërkojnë një injeksion intravenoz.
Kompania Merck dhe partneri i saj Ridgeback Biotherapeutics thanë se rezultatet fillestare treguan se pacientët që e morën ilaçin, e quajtur “molnupiravir”, brenda pesë ditëve të para të shfaqjes së simptomave të COVID-19 kishin 50 për qind më pak shanse për t’u shtruar në spital dhe për vdekje, krahasuar me pacientët që morën një pilulë falso.
Rezultatet u publikuan nga kompania dhe nuk janë rishikuar nga ekspertë të tjerë. Merck tha se ka në plan t’i prezantojë ato në një takim të ardhshëm mjekësor. Një grup i pavarur ekspertësh mjekësorë, që vëzhgonte provat, u shpreh se ato nuk kishin nevojë të vazhdonin më tej, pasi edhe deri në atë fazë të përkohshme, përfundimet ishin mjaft bindëse.
Top Channel