Deri tani, nuk dihej me siguri por një studim britanik i publikuar së fundi doli në përfundimin se është e sigurt që të merren njëkohësisht vaksina kundër COVID-19 dhe gripit. Sipas ekspertëve, një gjë e tillë nuk ndikon negativisht në reagimin e imunitetit ndaj asnjërës prej tyre.
Britania dhe vendet e tjera të hemisferës veriore po përgatiten për një dimër të ashpër dhe mundësinë e një rritjeje të rasteve të gripit ndërsa lehtësohen kufizimet e COVID-19 dhe masat e distancimit fizik. Të moshuarve, grupeve më të rrezikuara dhe punonjësve të shëndetësisë në Britani po u jepen dozat përforcuese të COVID-19, ndërsa qeveria e kryeministrit Boris Johnson ka premtuar gjithashtu për programin më masiv të vaksinimit nga gripi në histori këtë vit.
Studimi, i udhëhequr nga Universiteti i Bristolit, zbuloi se efektet anësore të raportuara ishin zakonisht të lehta deri në të moderuara në testet me tre vaksina gripi dhe Pfizer ose AstraZeneca për COVID-19. Ky konsiderohet një hap pozitiv, pasi nënkupton se do të duhen më pak vizita për t’u vaksinuar për ata që duhet të bëjnë të dyja vaksinat. Vaksinat, pacientëve iu administruan në një të njëjtën ditë, por në krahë të ndryshëm.
Top Channel