Marrëveshja Kosovë- Serbi për reciprocitetin e targave është aritur më në fund, pas 11 ditëve tension në veri.
Ky lajm i mirë është bërë publik nga i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, i cili publikoi edhe dokumentin e marrëveshjes.
Palët janë pajtuar për tri pika kyçe:
1.Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, nga ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
2.Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, si masë e përkohshme, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
3.Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajtur Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.
“Ne kemi nje marreveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-përshkallëzimin dhe rrugën përpara sapo është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe pajtuar”, ka reaguar Lajçak.
Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës mori vendimin që shoferët nga Serbia kur të hyjnë në Kosovë duhet të ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës me targa të reja.
Dy pikat kufitare në veri të Kosovës, Bërnjak dhe Jarinjë ku popullsia është shumicë serbe janë bllokuar nga banorët lokalë që e kundërshtojnë vendimin për reciprocitet.
Pas tensioneve të krijuara u vendosën njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
Top Channel