Top Story/ Vrasja e Xhuvanit mund të ishte parandaluar, policia injoroi denoncimin për strukturën e armatosur të PD-së

29/09/2021 22:56

Ajo që ishte paralajmëruar nga selia blu, në fakt kishte filluar të binte në sy në terren nëpër rrethe.

Të tilla struktura nuk ishin të panjohura në të shkuarën, por, asnjëherë me këto parametra organizimi me ish-efektivë të armatosur të forcave speciale.

Një eskortë me 3 furgonë me logon e Partisë Demokratike tërhoqi vëmendjen e qytetarëve të Elbasanit në 21 Prill të vitit 2021. Mjetet lëviznin të organizuar siç veprojnë eskortat policore në aksione.

Prezenca e kësaj eskorte nëpër Elbasan, ishte shndërruar në shqetësim. Në orën 13:24 minuta, një qytetar informon sallën operative se nga mjetet e loguar me simbolet e Partisë Demokratike dilnin disa persona me armë që intimidonin njerëzit. Pretendimi i njerëzve të eskortës, ishte se kryenin verifikime për persona që blinin vota.

“Kur PD mendon se në Elbasan gjendjen e ka keq, bandat e mbështetura nga pushteti i ka kundër, blihet vota. Në një moment kur s’ke askënd je i detyruar të kundër reagosh, do gjesh zgjidhjen, ata gjetën këtë zgjidhje, për mua është e detyruar. Gabimi këtu është që ata nuk duhet të kishin armë me vete. Arma të çon te incidenti”u shpreh gazetari, Ferdinand Dervishi.

Kjo foto që shihni, lidhet me denoncimin e mbërritur në sallën operative. Aty shihet një person që mban në dorë një armë. Ai, do të rezultonte më pas si personi i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit. Fatkeqësisht, policia nuk veproi në kohë për të shmangur konfliktin edhe pse kishte informacion mbi atë që po ndodhte në rrugët e qytetit.

“Në sallën e policisë të drejtorisë Elbasan ka ardhur një telefonatë mbi prezencën e tre furgonave duke ngritur shqetësimin për kryerjen e veprimeve që ishin duke u kryer nga këto automjete në rrugët e qytetit të Elbasanit duke thënë që ishin të armatosur” u shpreh Ardi Veliu, Kreu i Policisë së Shtetit

Mbështetësit e mazhorancës u ndjenë të provokuar nga veprimet demonstrative të aktivistëve të opozitës që vinin nga qytete të tjera dhe nuk kishin asnjë lidhje me Elbasanin.

Drejtuesi i strukturës së demokratëve për mbrojtjen e votës ishte Arjan Hoxha, një ish-oficer policie me karrierë të respektueshme deri në vitin 2013 kur edhe u shkarkua nga detyra. Hoxha e ka motivuar shkarkimin aso kohe si hakmarrje të ish-ministrit Saimir Tahiri pasi i kishte arrestuar të atin. Atë periudhë ai angazhohet në strukturat e selisë blu. Për 6 muaj Hoxha mbajti detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, pas marrëveshjes Rama-Basha gjatë procesit elektoral të vitit 2017.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA