Qeveria vendos financimin e 500 mijë dozave të tjera të vaksinës Pfizer, Manastirliu: Është garantuar sasia e vaksinave edhe për vitin 2022

29/09/2021 17:06

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, pas mbledhjes së qeverisë, ka bërë të ditur 3 vendimet që janë marrë sot, të cilat lidhen drejtëpërdrejt me mbrojtjen e shëndetit dhe jetën e qytetarëve.

Duke folur për vendimin për financimin e kontratës së me me kompaninë Pfizer për vaksinat anticovid, Manastirliu tha:

“Qeveria shqiptare vendosi sot kryerjen e menjëhershme të pagesës për mbi 500 mijë doza të vaksinës Pfizer, të cilat do të vijnë brenda këtij viti. Nëpërmjet këtij akti, bëhet i mundur menjëherë pagesa prej 6 milion dollarësh, të cilët i hapin rrugë dhe ardhjes së menjëhershme të kësaj sasie të dozave të vaksinave, të cilat vijnë në Shqipëri për të plotësuar nevojat për të rritur mbulesën vaksinale.

Qeveria shqiptare nuk po ndal përpjekjet e saj për të siguruar në vazhdim edhe doza të tjera të vaksinave. Dhe falë edhe një kontakti të drejtëpërdrejtë që Kryeministri Edi Rama ka pasur me Drejtorin Ekzekutiv të Pfizer, është garantuar gjithashtu edhe sasia e vaksinave për vitin e ardhshëm, pra për 2022”, bëri të ditur Manastirliu.

Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë u miratuan edhe dy vendime të tjera për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2021 dhe ka si qëllim përdorimin me efektivitet të fondeve buxhetore në dispozicion, si dhe plotësimin optimal të nevojave të institucioneve spitalore publike; dhe vendimi për rishpërndarje fondesh buxhetore brenda progremeve të miratuara në buxhetin e vitit 2021 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, i cili synon financimin e përshtatshëm të sistemit shëndetësor.

“Brenda buxheteve të shëndetësisë janë rialokuar fondet e nevojshme nga rezerva aktuale dhe fondet e nevojshme nga të gjitha ato programe të cilat duhet mbështetur dhe financuar në vijim në spitalet tona. Dy vendimet e qeverisë bëjnë të mundur që spitaleve tona, duke filluar nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, tek spitali “Shefqet Ndroqi” dhe në spitalet e tjera, jo vetëm që të garantohet furnizimi me barna, me oksigjen mjekësor, me materialet e mbrojtjes personale për mjekët dhe infermierët, por edhe të rritet cilësia, duke ofruar dhe shërbime të reja sikurse është edhe shtrirja e shërbimit laboratorik nëpërmjet partneritetit në 18 spitale të vendit, ku është i parashikuar ky investim”, tha Manastirliu duke bërë me dije se spitaleve do t’u rriten buxhetet aktuale.

Ministrja Manastirliu, e pyetur nga gazetarët në lidhje me ecurinë e procesit të vaksimit dhe nëse po konsiderohet aplikimi i dozës përforcuese u përgjigj: “Janë më shumë se 900 mijë qytetarë të cilët kanë marrë dozën e parë të vaksinës, ose ndryshe rreth 44 % e popullatës target. Ndërkohë që janë vaksinuar plotësisht 35.5 % e popullatës target.

Sigurisht synimi ynë është që të rrisim mbulesën vaksinale. Por këtu kemi një lajm të mirë që popullata mbi 60% ka arritur një vaksinim mbi 64 %, që është një përqindje e mirë e mbulesës vaksinale. Përsa i përket pyetjes në lidhje me dozat përforcuese, Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit është duke e vlerësuar programin, i cili mbështetet në programin tonë kombëtar të vaksimimit për dozat përforcuese. Sapo Komiteti i Ekspertëve do t’a vlerësojë, patjetër që ne do t’a marrim në konsideratë”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA