Kreu i PD, Lulzim Basha ka marrë pjesë në homazhet për nënkomisarin Saimir Hoxha, i cili u ekzekutua nga 21-vjeçari Aldi Rama teksa ishte në krye të detyrës.
Në fjalën e tij para mediave, Lulzim Basha tha se nuk është dita për të ngritur gishtin e përgjegjësisë, ndërsa theksoi se hapi i parë që do të ndërmarrin është një qeveri krah policisë. Ndër të tjera shprehu ngushëllimet për familjen dhe shprehu solidaritetin për këdo që përballet ditë për ditë me rrezikun vdekjeprurës të luftës kundër krimit dhe mbrojtjes së ligjit, jetës dhe sigurisë.
Lulzim Basha: Jam këtu për t;i dhënë lamtumirën e fundit nënkomisar Saimir Hoxhës, bashkë me lutjet e mia dhe të gjithë kolegëve e bashkëpunëtorëve të mi që shpirti i tij të prehet në paqe dhe që zoti t;ia lehtësojë dhimbjen e padurueshme bashkëshortes, fëmijëve, prindërve, familjarëve të tij. Po kështu për të shprehur solidaritetin tim të plotë dhe mbështetjen time për vëllezërit dhe motrat, të cilët përballen ditë për ditë me rrezikun vdekjeprurës të luftës kundër krimit dhe mbrojtjes së ligjit, jetës dhe sigurisë të çdo qytetari dhe të gjithë fëmijëve të këtij vendi.
Sot nuk është dita për të ngritur gishtin e përgjegjësisë, por si drejtues i dikurshëm i tyre, ju them se dhimbjen e tyre të përditshme për braktisjen dhe poshtërimin që ndjejnë, e ndjej përditë. Unë dhe PD do të bëjmë gjithçka që sakrificën e tyre, uniformën dhe dinjitetin e tyre ta vëmë në vend një orë e më parë.
Hapi i parë për këtë do të jetë një shtet, një qeveri në krah të vëllezërve dhe motrave në uniformë të Saimir Hoxhës, në krah të ligjit, në krah të policisë dhe kundër krimit. I paharruar qoftë kujtimi i tij.
Top Channel