Borxhi ka shkuar në 85 përqind/ Në 5 vitet e fundit borxhi u rrit me 1.6 miliardë euro vetëm nga eurobondet

25/09/2021 19:52

Në fund të muajit qershor të vitit 2021, deficiti buxhetor u rrit në rreth 2% të PBB-së (ose rreth 29 miliardë lekë) dhe borxhi publik në rreth 85% të PBB-së. Këto janë të dhënat që Banka e Shqipërisë konfirmon në raportin e saj të fundit, duke i rikujtuar edhe njëherë qeverisë për kujdesin që duhet të tregojë ndaj ecurisë së rritjes së borxhit që po shkon drejt niveleve  100%.

Qeveria shqiptare pati një ecuri të mirë në uljen e borxhit publik duke filluar nga viti 2015 kur kishte arritur në kulme historike, por tërmeti i 26 nëntorit detyroi vendin të merrte hua të jashtme për të financuar programin e Rindërtimit, ndërsa Pandemia Covid-19 detyroi qeverinë të shpenzonte para për të ndihmuar ekonominë e izoluar në karantinë. Ndërkohë gjatë 5 viteve të fundit, Borxhi është shtuar me 1.6 mld euro vetëm nga eurobondet.

Paratë e eurobondeve në një masë të madhe të tyre kanë shkuar për të larë borxhet e mëparshme, me qeverinë, e cila duket se ka rënë në kurthin e marrjes borxh për larjen e borxheve.

Vendi ynë në një nivel mjaft të lartë e ka edhe borxhin e brendshëm, ku përfshihen paratë që qeveria i merr qytetarëve të saj nëpërmjet emetimit të bonove të thesarit dhe obligacioneve. Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave, individët, në mënyrë direkte apo nëpërmjet bankave, mbanin rreth 17% të stokut të borxhit të brendshëm publik në fund të muajit mars 2021. Në vlerë, kjo përkthehet në afërsisht 110 miliardë lekë

Qeveria është zotuar se gjatë këtij mandati borxhi publik do të shkojë në 60%. Një nga masat e para të ekzekutivit për të arritur këtë objektiv duket se është ulja e shpenzimeve publike. Qeveria në performancën 8 mujore të buxhetit ka akumuluar rreth 75% të deficitit, ndërsa të ardhurat gjatë këtij viti kanë qenë në nivele më të larta edhe se 2019, me rritjen e akcizës dhe tatimit mbi vlerën e shtuar dhe të ardhurave personale.

Ndërkohë borxhi publik është favorizuar edhe nga niveli i ulët i euros, ndërsa Banka e Shqipërisë konstaton se ky kurs këmbimi duhet të mbahet në nivele të qëndrueshme përndryshe rreziqet mund të jenë të mëdha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA