Ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanovic vizitoi forcat ushtarake në Rashkë dhe Novi Pazar, që gjendet në kufi me Kosovën, e deklaroi se trupat serbe janë në gadishmëri të lartë në një kohë kur në veri të Kosovës tensionet mbeten të larta dhe serbët që kundërshtojnë masën e reciprocitetit për targat, vazhdojnë t`i mbajnë rrugët të bllokuara.
Stefanovic u shoqërua nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, gjenerali, Millan Mojsillovic. “Ushtria jonë nuk provokon, por është e gatshme të mbrojë njerëzit nëse ndodh diçka që rrezikon jetët e tyre.
Është e rëndësishme për mua të shoh që këta ushtarë janë të përgatitur dhe gati”, tha Stefanovic, teksa paralajmërohet se trupat presin urdhrin e presidentit Vuçiç për të vepruar.
Banorët lokalë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak i përforcuan barrikadat e tyre me zhavorr. Situata për momentin vazhdon të mbetet e njëjtë, pa incidente por me pengesa në të dy anët e rrugës.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të mërkurën u bëri thirrje serbëve të lirojnë rrugët e bllokuara pranë vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Ai u shpreh i gatshëm të shkojë në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic, në rast të një ftese nga Bashkimi Europian dhe ku te tregojë se Kosova është e gatshme ta heqë masën e reciprocitetit sa u përket targave, në qoftë se Beogradi do të bëjë të njëjtën gjë për targat e automjeteve nga Kosova.
Top Channel