Të hënën hyn në fuqi urdhri për paraqitjen e certifikatës së vaksinimit nga personeli arsimor në të gjitha shkollat e vendit, njoftoi ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu nga qendra qendra shëndetësore nr.4 në Tiranë.
“Duke filluar edhe nga dita e hënë, ne do të lëshojmë udhëzimin që do të ndiqet për të verifikuar ata që kanë kryer vaksinimin, duke filluar nga arsimtarët. Urdhri përmban të gjithë vendimet që ka marrë Komiteti Teknik i Ekspertëve, i cili përcakton që vetë institucionet shkollore, do duhet që të kontrollojnë nëpërmjet mekanizmave që do të ngrenë, të gjithë certifikatat e vaksinimit për personelin që do të jetë në shkolla dhe gjithashtu duke filluar nga data 11 tetor edhe për studentët”, tha Manastirliu.
Alternativa e mungesës së certifikatës së vaksinimit do të jetë testi i përjavshëm ose mësimi alternativ për studentët e pavaksinuar.
Sipas ministres, interesi i shtuar në muajt e hapur të vaksinimit nga personeli arsimtarëve, e ka çuar në mbi 80% vaksinimin e tyre me një dozë dhe mbi 60% me dy doza, duke paraqitur mbulesë të lartë vaksinale.
“Në këto dy muaj kemi pasur një interes të shtuar sa i përket vaksinimit, edhe shihet që ka një interes të shtuar të studentëve. Përsa i përket arsimtarëve, janë mbi 80% e tyre që e kanë kryer dozën e parë të vaksinës, edhe mbi 60 përqind e tyre janë vaksinuar plotësisht, padyshim janë shifra inkurajuese”, tha Manastirliu.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1.683.644 vaksina dhe 754.020 qytetarë janë vaksinuar me të dyja dozat. Krahas pikave të përqendruara dhe qendrave shëndetësore vaksinimi po vijon në çdo universitet të vendit. Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2.045.310 vaksina anti Covid.
Top Channel