Shkodër/ Shisnin lëndë narkotike, goditet grupi kriminal (8 të arrestuar, skema me medikamentet)

24/09/2021 11:52

Finalizohet operacioni policor i koduar “Buna 2021”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara, pas një hetimi disamujor të kryer nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër u bë i mundur finalizimi i operacionit policor të koduar ”Buna 2021”.

Specialistët e Sektorit për Narkotikët, në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe “Shqiponjat” e DVP Shkodër, gjatë operacionit bënë ekzekutimin e 6 vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për pjesëtarët e një grupi kriminal që merrej me shitjen e lëndëve narkotike në qytetin e Shkodrës, konkretisht:

Arjan Cerjani, Enkeledia Cerjani, Leart Cerjani, Luis Cerjani, Emiljan Hajdaraj,Gjergj Pllumbi, Indrit Ishmakej, Valentin Plenishta të gjithë banues në Shkodër.

Sipas policisë, është shpallur në kërkim shtetasi R. I., 35 vjeç, me detyrë infermier pranë Spitalit Rajonal Shkodër, vijon puna për kapjen e tij.

“Lidhur me lajmin mediatik për infermierin Redi Idrizi iu bëj me dije se nuk figuron i punësuar në Spitalin Rajonal Shkodër por është pjesë e strukturave private të shpërndarjes së metadonit. Nuk është i punësuar në strukturat tona e as në varësi tonën”, ka shkruar spitali duke përgënjeshtruar policinë.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se aktiviteti i këtij grupi kriminal është shtrirë gjatë një kohe të konsiderueshme në qytetin e Shkodrës, ku janë dokumentuar shumë raste të shkëmbimit të medikamenteve midis shtetasve R. I. dhe A. C. Më pas, këto medikamente, të arrestuarit e tjerë ua shisnin personave të ndryshëm që ishin në terapi nga përdorimi i lëndëve narkotike.

Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 4 armë zjarri, 6 thika, një sasi metadoni, një automjet e sende të tjera.

Operacioni ka vijuar në unazën lindore të qytetit të Shkodrës. Bazuar dhe në informacionet e marra gjatë zhvillimit të operacionit, si rezultat i veprimeve të shpejta nga Policia u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

I. I., 26 vjeç dhe V. P., 20 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre dy shtetasve dhe në banesën e shtetasit I. I., Policia gjeti dhe sekuestroi doza me kokainë, një sasi kanabisi dhe një armë zjarri pistoletë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA