Presidentët e Kosovës, Malit të Zi dhe ai Bosnje e Hercegovinës janë bërë bashkë për të shprehur njëzëri shqetësimin mbi zhvillimet e fundit në rajon.
Presidentja Vjosa Osmani u takua me homologun malazez Milo Gjukanovic, dhe kryetarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljko Komshic në Neë York, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ne deklaraten e përbashkët të lëshuar pas takimit thuhet se “Presidentët shprehën shqetësimin për zhvillimet e fundit në rajon dhe gjithashtu qëllimin e përbashkët të tyre për ruajtjen e stabilitetit si parakusht për perspektivën europiane të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Të tre krerët e shteteve ranë dakord ta vazhdojnë komunikimin dhe dialogun për këtë çështje”.
Pavarësisht thirrjeve për shtensionim, bllokada e serbëve që nuk pranojnë masën e reciprocitetit të targave në veri të Kosovës, vazhdon. Edhe në Cetinjë të Malit të Zi, shugurimi i kreut të ri Kishës Ortodokse Serbe atje, u shoqëerua me tensione.
Gjukanovic paralajmëroi në OKB për rrezikun e ripertërire të destabilizimit të Ballkanit Perëndimor dhe tha se vonesat e integrimit të shoqërive të tij në mjedisin e tyre europian po krijojnë hapësirë për rivendosjen e teorive shkatërruese që për shkak të prapambetjes ky rajon nuk mund të jetojë si një bashkësi multietnike dhe multi-fetare, as të sigurojë funksionimin e shtetit, e kështu të krijojë një alibi për rinovimin e projekteve nacionaliste në shkallë të gjerë që çuan në luftë në këtë zonë në vitet 1990 me gati 150 mijë viktima.
Top Channel