Ukrainë, parlamenti miraton ligjin për oligarkët

23/09/2021 21:46

Parlamenti i Ukrainës miratoi të enjten një ligj për personat e konsideruar si “oligarkë”, që të regjistrohen e të qëndrojnë jashtë politikës.

Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pas një përpjekjeje për të vrarë një ndihmës të lartë të Presidentit Volodymyr Zelenskiy, për të cilin zyrtarët dyshojnë, se mund të ishte si kundërpërgjigje ndaj reformës.

Ligji jep përkufizimet e të qënit oligark dhe u jep autoriteteve fuqinë të përcaktojnë individët që plotësojnë kriteret. Oligarkëve do t’u ndalohet të financojnë partitë politike, ose të marrin pjesë në proceset e privatizimeve. Zyrtarëve të lartë, përfshirë presidentin, kryeministrin dhe kreun e bankës qendrore, do t’u kërkohet të deklarojnë marrëdhëniet që kanë patur me ta.

Presidenti Zelenskiy thotë se është e nevojshme që vendi të mbrohet nga biznesmenë të fuqishëm, që kanë korruptuar sistemin politik për dekada të tëra. Kundërshtarët e tij druhen se ligji do të zbatohet në mënyrë selektive për të përqendruar më shumë pushtet në duart e presidentit.

Ligji kaloi një procedurë paraprake në muajin korrik. Pas miratimit të tij të enjten, me 279 vota pro në parlamentin me 450 vende, tashmë ai pritet të shkojë për firmën përfundimtare tek Presidenti Zelenskiy.

Ekipi i zotit Zelenskiy ka lënë të kuptohet se pas përpjekjeve për të vrarë Serhiy Shefir-in, një ndihmës i lartë dhe mik i ngushtë i presidentit, qëndron zemërimi që ka shkaktuar ky ligj. Makina e zoti Shefir u godit me armë zjarri të mërkurën nga persona të paidentifikuar, ndërsa ndodhej në disa fshatra jo shumë larg kryeqytetit.

Zoti Shefir nuk pësoi dëmtime ndërsa shoferi i tij u plagos. Policia po kërkon armën me të cilën u krye sulmi si dhe po interviston dëshmitarët e mundshëm, që siç tha të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Artem Shevchenko, po mblidhnin kërpudha aty pranë.

Në një postim në Facebook ai e quajti atë një atentat të vërtetë e “jo të inskenuar”.

Në vitin 2019 zoti Zelenskiy fitoi zgjedhjet me një shumicë dërrmuese, duke premtuar se do të trajtojë çështjet që lidhen me korrupsionin dhe do të ndalë ndikimin e oligarkëve, që kanë dominuar biznesin, që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, si dhe që ushtrojnë ndikim në politikë dhe media.

Sipas ligjit, Këshilli i Sigurisë dhe i Mbrojtjes Kombëtare, i kryesuar nga presidenti, ka fuqinë të përcaktojë dikë si oligark.

Ligjvënësi i opozitës Oleksiy Goncharenko, i cili i përket partisë së ish-Presidentit Petro Poroshenko, tha se ligji “krijon hapësira të mëdha për korrupsion”, dhe e krahasoi atë me taktikat e përdorura nga Presidenti rus Vladimir Putin për të rritur fuqitë e tij.

Kira Rudyk, udhëheqësja e partisë “Voice”, tha se ligji ishte hartuar “vetëm për të forcuar pushtetin, apo pozitën e presidentit në mënyrë që ai së bashku me Këshillin e Sigurisë dhe të Mbrojtjes Kombëtare të vendosin se kush duhet të ketë kontrollin mbi median e kush jo”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA