Fier/ U dogjën qindra rrënjë ullinj, arrestohet autori i zjarrvënies në fshatin Rreth-Libofshë

23/09/2021 20:41

Policia e Fierit ka vënë në pranga autorin e zjarrvënies në fshatin Rreth-Libofshë, ku si pasojë janë djegur qindra rrënjë ullinj të disa banorëve, një sipërfaqe shumë e madhe me shkurre e pemë frutore si dhe janë rrezikuar banesat e këtij fshati.

Policia bën me dije se i arrestuari është Bani Mishtaku, i cili është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë.

“Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi B.M, në fshatin Rreth-Libofshë, dyshohet se duke djegur me zjarr disa ferra dhe barëra të thatë, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë janë djegur qindra rrënjë ullinj të disa banorëve,  një sipërfaqe shumë e madhe me shkurre e pemë frutore si dhe janë rrezikuar banesat e këtij fshati”, njofton policia.

Mbi Mishtakun rëndon akuza për kryerjen e veprës penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA