Agjencia e BE-së shumë shpejt vendos për dozën e tretë të vaksinës

23/09/2021 22:40

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha të enjten (23 shtator) se në fillim të muajit tetor do të vendosë nëse do të miratojë dhënien e dozës shtesë të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër COVID-19 për të gjithë njerëzit e moshës mbi 16 vjeç.

Pavarësisht se rregullatori evropian ende nuk e ka miratuar dozën e tretë të vaksinës, disa vende të BE-së po u ofrojnë qytetarëve të tyre një mundësi të tillë.

Shefi i strategjisë së vaksinave të rregullatorit me bazë në Amsterdam, Marco Cavaleri, tha se është dëshmuar që mbrojtja imunitare ulet pas disa muajsh që një person ka marrë dy dozat e vaksinës.

“Të dhënat po tregojnë se imuniteti kundër COVID-19 zvogëlohet me kalimin e kohës”, tha Cavaleri.

Si rezultat i kësaj EMA po shqyrton lejimin e një doze të tretë të vaksinës Pfizer të paktën gjashtë muaj pas dozës së dytë te njerëzit e moshës 16 vjeç e lart.

“Nëse nuk nevojiten informacione shtesë, vendimi shpallet në fillim të tetorit”, tha Cavaleri.

Kompania amerikane, Pfizer dhe partnerja e saj gjermane, BioNTech, kanë prezantuar, secila, analiza të provave klinike, që kanë treguar se efikasiteti i vaksinës të tyre – që fillimisht është vlerësuar të ketë qenë 90 për qind kundër simptomave të COVID-19 – zbehet me kalimin e kohës.

Si rezultat, ato thonë se, njerëzit që janë vaksinuar në fillim të procesit të vaksinimit, tani janë më të cenueshëm ndaj infektimit, sidomos në rastin e përhapjes së variantit Delta të koronavirusit.

Dozat përforcuese ndihmojnë në rikthim të niveleve të zbehura të antitrupave, të prodhuara nga vaksinimi fillestar, kanë thënë prodhueset e vaksinës.

Të dhënat nga testimet klinike të Pfizerit, me 30,000 persona, sugjerojnë se efikasiteti i vaksinës është zbehur për gati 6 për qind çdo dy muaj pas marrjes së dozës së dytë./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA