Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg deklaroi sot në Nju Jork se anëtaret e Aleancës duhet të qëndrojnë të bashkuar pavarësisht mosmarrëveshjeve mbi përfundimin e kontratave për shitjen e nëndetëseve franceze në Australi si pjesë e partneritetit të ri strategjik midis SHBA-së, Britanisë dhe Australisë.
Stoltenberg tha se anëtaret e NATO-s nuk duhet të lejojnë që mosmarrëveshja midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe të çojë në një ndarje të përhershme.
Udhëheqësit e BE-së kanë mbështetur Francën në një mosmarrëveshje mbi vendimin e Australisë për të hequr dorë nga një marrëveshje me francezët për të blerë nëndetëse dhe për të nënshkruar një marrëveshje trepalëshe të sigurisë Azi-Paqësori me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë. Sidoqoftë, Stoltenberg nuk mbështeti asnjëra palë, dhe në një intervistë me AP, ai theksoi unitetin rreth qëllimeve kryesore të Aleancës.
“Unë e kuptoj plotësisht zhgënjimin e Francës. Në të njëjtën kohë, aleatët e NATO-s bien dakord për gjërat më të rëndësishme, dhe kjo është se ne duhet të jemi të bashkuar në mënyrë që të përballemi me sfidat e përbashkëta, përfshirë ndryshimin e ekuilibrit global të fuqisë,” tha ai. Stoltenberg shprehu besimin se Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara “do të gjejnë një rrugë përpara dhe nuk do të lejojnë që mosmarrëveshjet të krijojnë probleme të përhershme për aleancën”.
Zyrtarët francezë kanë dënuar vazhdimisht përfundimin e marrëveshjes dhe partneritetin e ri strategjik të tre vendeve, duke e konsideruar atë një tradhti. Ministrat e Jashtëm të BE-së shprehën mbështetje për Francën pas takimit në margjinat e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Australia pretendon se marrëveshja nëndetëse i referohet mbrojtjes së interesave të saj strategjikë mes shqetësimeve të përgjithshme për rritjen e ndikimit të Kinës. Kanbera zyrtare anuloi blerjen e 12 nëndetëseve franceze me naftë, me vlerë 66 miliardë dollarë, dhe në vend të kësaj vendosi të blinte të paktën tetë nëndetëse bërthamore teknologjikisht të përparuara nga Britania e Madhe dhe SHBA.
Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara këmbëngulin që mosmarrëveshja nuk duhet të prishë marrëdhëniet e tyre të përgjithshme me Francën.
Top Channel