Do te mbetet skena që simbolizon fundin kaotik të luftës 20 vjeçare të SHBA-së në Afganistan: avioni amerikan C17 që ngrihet nga aeroporti i Kabulit, qindra afganë të dëshpëruar që përpiqen t`i ngjiten transportuesit, dhe pikat e zeza që filmoi kamera duke rënë prej tij. U tha se ishin dy, por mendohet të kenë qenë më shumë.
Të tjerë u dërrmuan në rrotat e mjetit. Një prej tyre u identifikua vetëm tani si 24 vjeçari Fida Mohammad, me profesion dentist. Fida dikur ishte i mbushur me shpresë. Vitin e kaluar, u martua në një ceremoni ekstravagante që i kushtoi familjes së tij 13.000 dollarë. Ëndrra e tij për të hapur një klinikë dentare në kryeqytet ishte bërë realitet.
Por kur mbërritën talebanët, të gjithë pritshmërite e të riut për të ardhmen u thërrmuan, rrëfeu për Associated Press babai i 24 vjecarit, Painda Mohammed.
Ai ende nuk e kupton se cfarë po mendonte i biri kur u ngjit në rrotën e avionit. Burrin e moshuar e ka mbytur ndjenja e fajit dhe mes lotësh, thotë se druhet që Fida mori përsipër një rrezik aq të madh sepse kërkonte t`i shlyente të atit borxhin për dasmën.
Babai i dentistit të ri jeton me tmerr dhe kalon orë të tëra duke u përpjekur të imagjinojë çastet e fundit të të birit, frikën që ai duhet të ketë ndjerë kur toka poshtë nisi të zhdukej dhe momentin kur rrotat e avionit u hapën, dhe u gjend përpara dy mundësive të llahtarshme: të lëshonte metalin që kishte kapur e të binte nga ajo lartësi apo të shtypej për vdekje.
Top Channel