Përsëri një grua bëhet viktimë e dhunës në Greqi dhe opinioni publik është shokuar sërish nga vrasja e një 30 vjeçareje prej të dashurit të saj.
Ngjarja ka ndodhur pak pas mesditës të së mërkurës në ishullin e Rodosit në zonën Rodhini.
30 vjeçarja sapo ka parkuar makinën, është qëlluar dy herë me një çifte nga ish i dashuri i saj, me të cilin thuhet se ishin ndarë së fundmi, pas një lidhjeje që zgjati vetëm dy muaj.
Autori duket se i kishte ngritur pritë brenda një makine të marrë me qira, bëjnë me dije mediat lokale që kanë publikuar edhe fotografitë e viktimës.
Pasi e ka qëlluar për vdekje ai është larguar drejt shtëpisë së tij ku i ka dhënë fund jetës me të njëjtën armë. Madje sipas burimeve policore ka lënë edhe një letër në të cilën shpjegon arsyet që e shtynë drejt këtij akti. “Pa dashurinë time nuk ka kuptim të jetosh” shkruan në letër midis të tjerash.
Viktima ishte me profesion mësuese në një departament të klasave me nxënës me aftësi të kufizuara. Vrasja brutale ndodhi para syve të banoreve vendas të cilët janë shokuar dhe tmerruar me atë që ndodhi.
Është rasti i 7 brenda 8 muajsh në Greqi, kur një grua vritet nga vetë shoku i saj i jetës.
Top Channel