Afrim Qendro, i cili prej disa kohësh ka mbajtur detyrën si nënkryetar i Bashkisë së Vlorës ka dhënë sot dorëheqjen e parevokueshme nga ky post.
“Unë në fakt nuk dorëzoj vetëm detyrën si nënkryetar bashkie, kam ardhur politikisht me vendim të Partisë Socialiste që në 2016 si koordinator elektoral i PS për qarkun e Vlorës. E kam kryer këtë detyrë për disa zgjedhje.
Natyrisht në një moment kryeministri më ka kërkuar në korrikun e vitit të kaluar në asamblenë e Partisë Socialiste të Vlorës që të kryer dhe detyrën e nënkryetarit në sektorin e punëve publike. Ka patur dy objektiva kryesore, ndjekjen dhe shtyrjen e projekteve të qeverisë shqiptare që nuk janë të pakta në Bashkinë e Vlorës dhe punët publike që deri diku çalonin. Unë mendoj se e kam përmbyllur më së miri. Kemi marrë rezultate zgjedhore shumë të mira”, tha Qendro.
Afrim Qendro shprehet se do të largohet për në Tiranë me një detyrë partie.
“Unë jam një njeri që kam kryer fushata, në 2013 kam qenë koordinator dhe kandidat për deputet në Bashkinë e Tiranës. Me Damianin na bashkoi ky udhëtim politik por do iki me detyrë në partinë e Tiranës dhe jo në Elbasan me Damianin.”
Sa i përket deklaratës së kryeministrit Rama për mbushjen e gropave në rrugë, Afrim Qendro thotë: “Në funksionimin e punëve në Vlorë ka patur disa gropa dhe nuk bëhet fjalë për gropat e asfaltit në rrugët e qytetit që përgjithësisht janë mbyllur, por ka disa gropa të tjera si ndriçimi i qytetit që ka qenë errësirë dhe sot është i ndriçuar. Ka patur një gropë që mbytej në Novoselë dhe sot është bërë një projekt që s’do mbytet më. Ka pasur probleme dhe në disa lagje ku s’ka pasur ujë të pijshëm dhe sot janë mbyllur. Për të mos folur për disa gropa të tjera që unë kam mbyllur përmes punës.
Përvec projekteve që unë i kam bërë në Vlorë dhe kryeministri bashkë me drejtuesin politik, siguruan financimet dhe janë në përfundim e sipër si blloku në lagjen “Kume”, “Cume”. Ujësjellësi mbetet prioritet. Para ikjes kam dorëzuar sot edhe tre projekte të rëndësishme, projekti që do të zgjidhë përfundimisht përmbytjet në Vlorë për ujërat e bardha, në hidrovor dhe me pastrimin. Projektin e zonës së fabrikës së çimentos dhe të lagjeve ‘Shtatë pallatet’. Për pak ditë do të dorëzoj dhe dy projekte të Bashkisë së Vlorës me porosi të kryeministrit Rama.”
Qendro e ka mbyllur deklaratën e tij duke falënderuar socialistët e qarkut për rezultatet që kanë nxjerrë. Pyetjes nëse kryebashkiaku Leli e priti dorëheqjen në zyrë, Qendro ka thënë se e ka dorëzuar dorëheqjen e parevokueshme.
Top Channel