Një punonjës karburanti, vetëm 20-vjeç është vrarë në Gjermani, dy ditë më parë (të shtunën, 18 shtator 2021).
I riu fatkeq u vra me gjakftohtësi nga një klient, sepse nuk kishte pranuar t’i shërbente në blerjet e tij, pasi ky i fundit nuk mbante maskë sanitare për mbrojtjen ndaj covid.
I dyshuari, një burrë 49-vjeçar nga Indar-Oberstein, i cili më vonë deklaroi se nuk respektonte masat kufizuese, ndodhet në paraburgim njoftoi policia lokale e Rheinland-Pfalz.
Mediet e huaja shkruajnë se i riu, i cili ishte student kishte refuzuar t’i shërbente klientit, i cili donte të blinte një pako birra sepse nuk mbante maskë. I mërzitur, 49-vjeçari u largua, duke i lënë birrat në banak. Ai u kthye një orë e gjysmë më vonë, këtë herë i veshur me maskën, të cilën e hoqi kur mbërriti në arkë, me qëllim që të provokonte reagimin e arkëtarit.
Pasi punonjësi i tha të vinte përsëri maskën, klienti nxori një pistoletë nga xhepi i tij dhe qëlloi studentin, i cili ndërroi jetë në vend.
Menjëherë autori u largua në drejtim të paditur dhe ditën tjetër u dorëzua në polici. Ai tha se ndihej i “shtrydhur” nga masat që lidheshin me pandeminë Covid-19.
Policia më pas kontrolloi banesën e tij, ku gjeti armën e krimit, si dhe armë të tjera zjarri e municion luftarak. Shumë vendas lanë lule, arusha pelushi dhe objekte të tjera në vendin e krimit.
Top Channel