BE-ja i ka dalë në krah Francës në përplasjen e ashpër të saj me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe për shkak të marrëveshjes së nëndetëseve me Australinë.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian u solidarizuan me Parisit pas vendimit të Canberrës për të hequr dorë nga marrëveshja e blerjes së nëndetëseve elektrike franceze, në favor të një pakti të ri me Washingtonin e Londrën për nëndetëse me kapacitet bërthamor.
Një hap i tillë bie ndesh me frymën e një “bashkëpunimi më të gjerë me Bashkimin Europian në Indo-Paqësor”, deklaroi kreu i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell pas një takimi me ministrat.
Kreu i diplomacisë franceze Jean-Yves Le Drian u shpreh se ka anuluar një takim në Nju Jork me homologun e tij australian, për shkak të “krizës së besimit” nga humbja e 40 miliardë dollarëve në kontratën e nëndetëseve. Sipas tij, Francës pakti i ri iu mbajt i fshehur.
Javën që shkoi, Parisi zyrtar mori vendimin e pashembullt të thërriste për konsultime ambasadorët në Australi dhe Shtetet e Bashkuara. CNBC thotë se të dy këto vende po përpiqen ta zbusin marrëdhënien me Francën.
Presidenti amerikan Joe Biden ka kërkuar të flasë në telefon me Emmanuel Macron, dicka që mund të ndodhë brenda këtyre ditëve, ndërsa kryeministri britanik
Boris Johnson deklaroi se është krenar për marrëdhënien e ngushtë që ka vendi i tij me Francën.
Top Channel