Policia kroate kërkon të identifikojë gruan ‘angleze’ të gjetur në shkëmbinjtë e thepisur të ishullit turistik (fotot)

20/09/2021 18:22

Gruaja që flet ‘anglishte të përkryer’ u gjet pa dokumente apo celular dhe nuk mund të tregojë cila është.

Policia kroate ka publikuar foton e një gruaje për të cilën thotë se flet anglisht në mënyrë të përkryer por nuk di cila është e nga ka ardhur, kur u gjet në shkëmbinjtë e thepisur të ishullit bregdetar Krk.

Rrjeti vendas 24Sata tha se gruaja që duket në të 60-at e saj, kishte të prera e gërvishtje në fytyrë e trup. Ajo ishte pikasur fillimisht nga një peshkatar mëngjesin e të dielës, e ulur në shkëmbinjtë e fshatit Soline, në veri të ishullit.

I shqetësuar se barka e tij mund të ngecte nëse afrohej, peshkatari njoftoi policinë dhe grupet e shpëtimit me mjete fuoristrada u detyruan të zbrisnin dhe të ecnin për rreth 3 kilometra për ta arritur.

Zyrtarët thanë se gruaja me flokë brune, kapele dielli dhe pantallona të zeza, nuk kishte dokumente apo celular që mund të lejonte identifikimin e saj.

Ajo dukej se kishte kaluar disa jetë jashtë në zonën e rrezikshme, ku shihen shpesh arinj e derra të egër, qe vijne me not per te kerkuar ushqim. E gjetura ishte tepër e dobët për të pirë ujë vetë, ndersa tani është duke marrë trajtim në spitalin e qytetit Rijeka.

Një nga rezidentët tha për mediat: “Është shumë e çuditshme që u gjet këtu. Është një nga pjesët më të vështira të ishullit për të arritur. Shkëmbinjtë janë të mprehtë si brisqe, ato madje të presin gomën e këpucëve.”

“Një person normal nuk mund të notojë këtë distancë, duhet shumë forcë”, tha një prej rezidentëve.

Një rezident i fshatit Soline tha se gruaja nuk kishte qëndruar në fshat pasi do ta kishin njohur, ndërsa një tjetër sugjeronte se “mund të ketë humbur duke ecur, apo është rrëzuar dhe ka humbur kujtesën nga një goditje në kokë”.

Policia tha se po kontrollonte mes personave të humbur dhe shpreson që dikush ta njohë.

Krk është një destinacion i njohur turistik i vendit dhe pret shpesh vizitorë nga Gjermania. Ai është një nga ishujt më të mëdhenj të detit Adriatik dhe ka një popullatë prej 20,000 njerëzish.

Rrjeti 24Sata tha se rasti ngjasonte me atë të Andreas Grassl, i njohur si bavarezi “njeriu i pianos”, në 2005 i cili ishte gjetur në plazh dhe u trajtua për pesë muaj në spital pasi kishte humbur memorien nga një krizë psikologjike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA