Mbledhja e kryesisë së grupit parlamentar demokrat prodhoi replika të forta mes Lulzim Bashës dhe deputetit Flamur Noka mbështetës i aksionit politik, nisur nga Sali Berisha.
Burime nga kjo mbledhje i thanë Top Channel se fillimisht Flamur Noka i është drejtuar Bashës me fjalët.
“Ke shkelur statutin, vendimin për Berishën duhet ta marrë Kuvendi Kombëtar”. “Nuk ka dhe nuk do të ketë grupim anti-amerikan nën siglën e PD. Nuk do të ketë Kuvend të PD që vë në diskutim vendimet e qeverisë amerikane”.
I është përgjigjur Basha duke theksuar se:
“Kërkesa për doktorin nuk ka ardhur nga zyrtarë të nivelit të tretë apo të rangut të ulët. Ka ardhur nga kupola e Shtetit Amerikan. Informacionet i di unë siç i di shumë mirë edhe doktori dhe që ju s’keni për ti marrë vesh kurrë. Vendimi për Sali Berishën, nuk ka më kthim pas. Pastaj ka një keq-lexim që bëhet ose interpretohet në media. Doktori nuk është përjashtuar përfundimisht, nuk është linçuar. Ndaj tij janë thënë fjalët më të mira. Por siç ka deklaruar edhe vetë ai, do të ndjekë procesin gjyqësor. Derisa e vërteta të dalë në shesh, do të qëndroj jashtë grupit. Ai nuk është përjashtuar as nga strukturat që të ishte nevoja për mbledhjen e organeve të PD”.
Flamur Noka nuk është pajtuar me këtë përgjigje të zotit Basha. Sipas tij vendimi ndaj Berishës ishte një thikë pas shpine për demokratet dhe duhej lënë forumeve të PD-se ta merrnin. Edhe ky qëndrim i deputetit Noka, mori përgjigje nga Lulzim Basha.
“Mos thoni gjysmë të vërteta. Kurrë nuk kam deklaruar se ky ka qenë vendimi i jetës sime, por ka qenë më i vështiri. Nuk desha që këtë vendim t’ua lija forumeve të PD-së për të mbajtur të bashkuar partinë. Ky është vendimi në interes të demokratëve”.
Përsëri Flamur Noka ka marrë fjalën dukë akuzuar Bashën për futjen e PD në një rrokullimë pa kthim përmes një vendimi sipas tij, anti-statutor me kushtetutën e partisë.
Top Channel