Drejtoresha e Program Swiss Contact në Kosovë, Argjentina Grazhdani e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm organizimin e Agjencisë së Lajmeve KosovaPress për të shënuar Konventën e Asamblesë së Përgjithshme të Aleancës së Agjencive të Lajmeve të Ballkanit(ABNA), në të cilën KosovaPress është anëtare me të drejta të plota.
KosovaPress ka mbledhur në Prishtinë përfaqësues të agjencive të lajmeve nga 12 shtete të Ballkanit, të cilët po diskutojnë sfidat me të cilat përballen gjatë pandemisë dhe për hapësirën që duhet t’i jepet turizmit.
Për këtë të fundit, Grazhdani ka thënë se pandemia ka penguar në zhvillim por që të gjitha vendet rimëkëmbjen e turizmit e shohin duke filluar nga segmentet e rajonit.
“Për shkak të promovimit të Kosovës si destinacion rajonal, Kosova ka shumë turistë, ka shumë diasporë e cila shumë e më shumë ka filluar të sillet sikur një turist, ka turizëm të brendshëm, por turistet rajonal na mungojnë. Shqipëria normal është segmenti më i madh i turistëve rajonal por do të ishte mirë dhe ne si projekt i financuar nga qeveria zvicerane mëtojmë që ka vend për rritje të turizmit rajonal nga Bullgaria, Turqia, Maqedonia dhe nga Serbia”, thotë ajo.
“Unë me të vërtetë përgëzoj KosovaPress-in që së pari jeni anëtare të agjencioneve rajonale dhe në këtë mënyrë faktikisht po e ngritni edhe rolin e gazetarisë kosovare në nivel të rajonit, është për t’u përgëzuar”, thotë ajo.
Agjencitë e 12 shteteve të Ballkanit po qëndrojnë në Kosovë ku do të diskutojnë rreth pandemisë dhe ndikimit që ka pasur në punën e medias.
Pritja e tyre është bërë dje në një organizim në Muzeun e Kosovës, ku të pranishmit janë njoftuar prej afër me historinë e vendit.
KosovaPress është pjesë e ABNA nga viti 2017, ndërsa synim mbetet anëtarësimi në Aleancën Evropiane të Agjencive të Lajmeve EANA.
Kuvendi dhe konferenca e 29-të e përgjithshme e ABNA-së mbështetet nga Friedrich Ebert Stiftung dhe Swiss Agency for Development and Cooperation SDC.
Top Channel