Në kuadër të aksionit ‘bregdeti ynë’ ditën e sotme IKMT është stacionuar në zonën e plazhit të Orikumit.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur sot prishjen e objektit të parë i cili ka rezultuar pa dokumentacionin e rregullt, ndërsa janë në verifikim e sipër të gjitha objektet në këtë plazh.
Mes lotësh pronarja e objektit tha se nuk i kanë dhënë asnjë shkresë për shembjen e lokalit, duke shtuar se nuk janë lajmëruar më herët.
“Me gjak e kam ndërtuar, ka qenë kënetë dhe e kemi bërë këtu. 23 vjet merrem me këtë. Nuk ka sollën asnjë shkresë. Para një vit e gjysmë dhamë dokumentat dhe nuk na thanë më gjë. Njerëz që punojnë me djersë nuk ka”, shprehet zonja.
Të njëjtën gjë e konfirmon dhe bashkëshorti i saj, i cili thotë se ka investuar miliona lekë në këtë subjekt.
“Kemi 23 vjet këtu në Radhimë, e kemi marrë me leje nga komuna që ka qenë atë kohë. Kemi hedhur miliona lekë. Kemi paguar taksa bashkie, plazhin, mirëmbajtjen. Kabinat i kemi në legalizim për së dyti dhe vijnë i prishin pa lajmëruar. Nuk kanë sjellë asnjë shkresë për heqjen e pajisjeve. Të gjitha janë pa leje këtu. S’dimë asgjë, kot prishen”, tha pronari i objektit.
Top Channel