“Menaxhimi dhe pastrimi i bregdetit”, Kumbaro flet për prioritetin e mandatit të tretë: Draft-ligji është në proces

16/09/2021 14:22

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka folur për objektivat e mandatit të tretë duke thënë se pritet të hartohet një draft-ligj për bregdetin që do të jetë prioritet.

Ndër të tjera tha se ka filluar puna për organizimin e sezonit të ardhshëm turistik në bregdet.

Mirela Kumbaro: Me menaxhimin dhe pastrimin e bregdetit, në këtë mandat e kemi prioritet që bashkëjetesa e mjedisit dhe turizmit në të njëjtën kupolë shkojnë bashkë me të mirën dhe të keqen se pa mjedis të pastër, nuk mund të kemi turizëm cilësor. Zonat bregdetare janë nga më produktivet sa i përket larmisë së habitateve, shërbimeve, ekosistemeve, prodhimit, biznesit dhe zhvillimit urban.

Gjithashtu është një zonë paradokse me presion të madh për zhvillim, me ndotje me konflikte për përdorimin e tokës dhe kërkon një përgjigje të organizuar mirë ose goditje. Kjo mazhorancë i ka hedhur themelet e një vëmendje të dedikuar, por jemi ende në një mungesë përgjigje të përkufizimit të saktë të hapësirës së vijës bregdetare që sot mbulohet nga 11 bashki. Ka një sërë ligjesh dhe aktesh nënligjore, por ende nuk gjejmë ende një kornizë rregullatore të posaçme për bregdetin, prandaj një draft ligj është në proces do të jetë një prioritet i këtij mandati me objektiva të larta: Garantimi i qëndrueshëm i zonës bregdetare dhe sigurimi racional, përcaktimi i kufijve të bregdetit, dhënia e një statuti të veçantë dhe disiplinimin e ndërtimeve të kontrolluara në bregun e detit.

Pjesë  e programit tonë është edhe reformimi i strukturave ekzistuese. E kam fjalën për strukturat ekzistuese të menaxhimit të bregdetit për ta zgjidhur këtë mjegullnajë që vjen nga padija apo mungesa e përvojës dhe nga keqmenaxhimet. Kjo do të synojë që problematikat e shfaqura në siguri dhe pastërti të adresohen më mirë pasi njësitë e qeverisjes vendore përballen jo rrallë me mungesë kapacitetesh duke mos përmbushur qëllimin për menaxhimin. Ishte një nismë e lavdërueshme krijimi i strukturave 8 vjet më parë se trashëguam një situatë skandaloze.

Vija bregdetare është atraksioni më i madh turistik. Ndaj do të ketë një bashkëpunim shumë të ngushtë me bashkitë, ndarje të territorit në rajone monitorimi, krijimin e njësisë suplementare për sezonin e verës dhe planifikimin e stacioneve te plazhit që në dy muajt e parë të vitit. Puna për organizimin e sezonit të ardhshëm turistik në bregdet ka filluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA