Policia e Tiranës ka vënë në pranga 5 persona, të cilët akuzohen për kryerjen e veprave të ndryshme penale, tre prej tyre të shpallur në kërkim.
Për një prej tyre është vendosur masa e sigurisë 6 muaj burg për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe për një tjetër burg pa afat për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve shëndetësore”.
“Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Finaciar bënë ekzekutimin e urdhërave të ndalimit për shtetasit: R. A., 64 vjeçe, pasi Gjykata e rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur dënimin me 6 muaj burg për veprën penale “Falsifikim i dokumentave”; A. H., 30 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së parë Durrës ka vendosur masën e sigurisë “Burg pa afat” për veprën penale “Falsifikim i dokumentave shëndetësore”, njofton policia.
Po ashtu është bërë i mundur arrestimi i një 24-vjeçari për veprën penale dhunë në familje dhe një 37-vjeçari, i cili ka përndjekur dhe shqetësuar një shtetase.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë ndalimi i shtetasit U. N., 24 vjeç, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. S., 37 vjeç, pasi ka përndjekur dhe shqetësuar një shtetase”, bën me dije policia.
Mes të arrestuarve nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi i shtetasit R. K., 24 vjeç, pasi ka vjedhur biçikletën e shtetasit A. L. Në vijim të veprimeve gjatë kontrollit të ushtruar iu gjet e sekuestrua një dorezë metalike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel