Dy persona janë arrestuar nga policia e Korçës dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht për vepra të ndryshme penale.
Një prej tyre, i identifikuar me inicialet N.H., banues në Ersekë akuzohet për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, mbetur në tentativë, pasi në fshatin Starje, Kolonjë, dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me një 19-vjeçare.
Specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore në DVP Korçë bënë arrestimin në flagrancë edhe të një 55-vjecari të identifikuar me inicialet A. B., banues në fshatin Biranj, Korçë, pasi në afërsi të këtij fshati, ky shtetas u kap duke drejtuar pa leje drejtimi, motorin tip “Yamaha”.
Ndërsa një 57-vjeçar, i identifikuar si S.T., banues në fshatin Drithas, Maliq, u procedua penalisht pasi ka djegur disa mbetje dhe zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke u përhapur në parcelën ngjitur në pronësi të T. R., ku janë djegur 17 koshere bletësh.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec filluan procedimin penal për L. B., 51 vjeç, banues në fshatin Memlisht, Pogradec, pasi në këtë fshat, ky shtetas u kap duke transportuar me mjetin kamion tip ”Volvo”, 18 m sterë lëndë drusore pa leje.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.
Top Channel