Policia e Kavajës ka arrestuar një 32-vjeçar, i cili kishte edhe precedentë të mëparshëm penalë në fushën e vjedhjes. Po ashtu janë proceduar edhe dy shtetas të tjerë, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
“Shërbimet e Policisë Kavajë, në vijim të punës për kapjen e personave që qarkullojnë me sende të kundraligjshme apo i mbajnë ato në banesë, kanë intensifikuar punën dhe si rezultat i kontrolleve të shtuara, mbi bazën dhe të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues Sh. S dhe pasagjer shtetasit K. K dhe M. K. Gjatë kontrollit në automjet dhe të banesës së shtetasit Sh. S, shërbimet e Policisë gjetën municion luftarak, lëndë narkotike kokainë, kanabis, një armë e ftohtë(thikë) një palë pranga policie të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.
Si rezultat policia ka sekuestruar municion luftarak, lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, pranga policie, një automjet dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: Sh, S., 32 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”,” Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtje pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa leje e uniformës”.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Kavajë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel