Në Dhërmi vijon operacioni “Bregdeti Ynë” për shembjen e objekteve pa leje. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka publikuar një video ku shihen fadromat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit teksa shembin një godinë një katëshe.

Nisjen e fazës së dytë të operacionit Çuçi e njoftoi në fillim të muajit shtator, ku po në Dhërmi u shemb me tritol një tjetër objekt pa leje. Ai thotë se ky nuk është një aksion, por një punë që do të vazhdojë kudo ku ka abuzim me ndërtimet.

“Vijon operacioni “Bregdeti Ynë” për shembjen e objekteve të radhës pa leje në Dhërmi. Ajo që nisëm në muajin qershor nuk ka për të qenë thjesht një aksion. Kush e ka menduar kështu, gabohet rëndë. Kjo është një punë që do të vazhdojë me vullnetin tonë të plotë për të mos toleruar askënd që zapton e ndërton ku të mundet. Nisi ky operacion në zonat bregdetare, por IKMT dhe Policia e Shtetit do të jenë kudo tjetër në territorin e vendit ku po tentohet apo janë ngritur objekte pa leje ose që janë në tejkalim të lejes së miratuar”, shprehet Ministri i Brendshëm.

Në fazën e parë të operacionit “Bregdeti Ynë” që nisi në muajin qershor u shembën mbi 130 ndërtime pa leje, u vendosën rreth 132 milionë lekë gjoba për 86 subjekte, si dhe u arrestuan e u ndoqën penalisht dhjetëra persona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA